TIRANË

Ish-prokurori dhe konstitucionalisti Shkëlqim Hajdari ka folur mbrëmjen e sotme në emisionin “Frontline” të gazetares Marsela Karapanço në News24 për operacionin “Shpirti” që çoi në 38 urdhër arreste, 28 të ekzekutuara së fundmi kundër trafikut të drogës.

Hajdari tha se trafiku i drogës dhe segmente të tjera të korrupsionit nuk janë bërë nga njerëz që nuk kanë qenë të lidhur me zyrtarë dhe se duhet të jemi të lumtur që shikojmë emra. Ai theksoi se kjo goditje duhet t’iu shërbejë drejtuesve aktualë të Policisë dhe drejtuesve politikë.

“Pa diskutuar rastin konkret ne duhet të jemi të sinqertë me publikun. Trafiku i drogës dhe segmente të tjera të korrupsionit nuk janë bërë nga njerëz që nuk kanë qenë të lidhur me zyrtarë. Në këtë kuptim duhet të jemi të lumtur që shikojmë emra. Unë sukses quaj kur ky proces finalizohet me prova dhe personi cilësohet fajtor.
Sigurisht do ishte mirë që ato masa që janë marrë të jenë marrë në përputhje me prova, ashtu sikur do ishte keq shumë që akuzat të mos provohen dhe të pushosh çështjen. Më mirë që nëse nuk ke prova të forta ta lësh në masën e sigurimit arrest shtëpie dhe më pas ta lësh në detyrim paraqitje se sa ta kesh në burg dhe pastaj ta lirosh. Shpresoj që të ketë prova”, deklaroi ai.

Sa i përket spuntos nga përtej Adriatikut për këtë operacion, ai tha se do vijë koha kur topin ta hedhim ne dhe zhytja të bëhet nga Italia.
“Suksesin në trafikimin ndërkombëtar, por dhe vepra penale të tilla, pa dashur të marr në mbrojtje prokurorët dhe gjyqtarët shqiptarë, jo se nuk kanë bërë punë. Është kjo prokurori që në vite kanë dërguar pas hekurave banda të rrezikshme, këta prokurorë.
Nuk ka më bukur, nuk ka më mirë që të rriten elementet e bashkëpunimit. Të na çojnë topin ato dhe ti bën zhytjen. Do vijë puna shumë shpejt që do çojmë topin ne, do bëjë zhytjen Italia. Një nga pikat kryesore që të bëhesh anëtare e BE duhet të kesh një marrëdhënie bashkëpunimi në të gjitha fushat. Rruga është e hapur, e rëndësishme që zyrtarët e korruptuar po kuptojnë që edhe gjurmët që kanë lënë para disa vitesh po i çojnë para drejtësisë”, tha ai.

Por a janë provë e kriminalizimit të shtetit?
“Ne të gjithë jemi dëshmitarë që edhe nëse nuk ishte kjo ngjarje, segmente të Policisë shqiptare dhe agjencive të tjera kanë qenë të përfshira në trafik droge. Goditja duhet t’iu shërbejë drejtuesve aktualë të Policisë së shtetit dhe drejtuesve politikë. Nëse ministri ka drejtimin politik, drejtori i policisë duhet të jetë drejtuesi operacional. Në këtë kuptim shpresoj që edhe lëvizjet e fundit që janë bërë të jenë në këndvështrimin e përmirësimit të punës.
Kjo ndihmon shumë. Njerëzit që riciklohen vetëm i shërbejnë për të mirë punës. Më e rëndësishmja është që drejtuesit e Policisë së Shtetit do ta marrin shumë seriozisht situatën e krijuar sepse dhe ato kanë familje, dhe ndonjë që është i dyzuar, do të mendohen mirë. Goditjet që po vijnë janë një alarm dhe një paralajmërim për çdo zyrtar. Për të gjithë bien kambanat, për zyrtarët e shtetit shqiptar dhe largqoftë dhe ata politikanë”, deklaroi Hajdari.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb