DURRES

Shtohet numri i personave të arrestuar nga policia në kuadër të operacionit “Vol-Vo 4”, ku u goditen 4 grupe kriminale vitin e kaluar dhe u arrestuan 32 persona.

Policia bën me dije se në pranga ka përfunduar H.H., 48 vjeç, nga Xhafzotaj i Shijakut, pasi ndaj tij Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka lëshuar dje një urdhër ndalimi.

Gazetarja Klodjana Haxhiaj duke iu referuar burimeve nga policia, bën me dije për “BalkanWeb” se i arrestuari është Hekuran Hoxha dhe dyshohet se ishte pjesë e grupit ‘Avdylaj’ në Shijak.

48-vjeçari akuzohet për laboratorin e heroinës që u zbulua në Brenog të Hasit.

Njoftimi nga policia:

Vijon operacioni “Vol-Vo 4”. Drejtoria Hetimore Qendrore, në bashkëpunim me Prokurorinë për Krime të Rënda Tiranë, Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës në kuadër të operacionit policor “Vol-Vo 4” kapen dhe ndaluan një tjetër dyshuar.

Në këtë kuadër, mbrëmjen e sotme është ekzekutuar urdhër ndalimi për shtetasin H.H., 48 vjeç, nga Xhafzotaj, Shijak.

Ndalimi u bë pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka lëshuar, në datë 17 janar 2019 urdhër ndalimi për të.

Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, “Trafikim i narkotikëve”, “Prodhim dhe fabrikimi i lëndëve narkotike dhe psikotrope, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb