TIRANË

“BalkanWeb” zbardh dosjen e prokurorisë për operacionin e 27 korrikut në zonën e “Xhamllikut” që përfundoi me 5 të arrestuar, teksa pati dhe një incident mes policisë dhe gazetarit të News24.

Në dosje zbërthehen rolet dhe akuzat e pesë personave të akuzuar, teksa tre prej tyre kanë refuzuar të japin deklaratat e tyre si pjesë e këtij aktiviteti kriminal dhe janë shprehur se do të flasin në një moment tjetër.

Prokuroria ka kërkuar arrest me burg për të gjithë të arrestuarit: Gentian Kore, Erjon Prengaj, Altin Gega dhe Taulant Çoku të akuzuar për prodhim dhe shitje narkotikësh, ndërsa Gazmir Cani për kundërshtim të punonjësve të policisë së rendit publik”.

Më 27 korrik rreth orës 13:00 në rrugën “Kujtim Laro” Tiranë është parë shtetasi Gentian Kore dhe tre persona të tjerë të paidentifikuar që hynin dhe dilnin nga dyqani i pikës së makinave me qira të shtetasit Gentian Kore. Këto persona ishin me një makinë autoveturë, të markës “Volvo” me targë DO XC 500. Në një moment pasi hynë këta persona në dyqan vjen dhe një makinë tip autoveturë e markës “Volkswagen” me targë AA573SO nga e cila zbret një djalë me dy kuti picash në dorë dhe futet në dyqanin e dhënies së mjeteve me qira të shtetasit Gentian Kore.

Duke pasur dyshime se djali me kuti picash mund të kishte sjellë lëndën narkotike, është vendosur ndërhyrja në këtë ambient me qëllim kapjen në flagrancë të gjithë këtyre personave së bashku me lëndën narkotike.
Sapo policia është afruar për të hyrë në dyqanin e pikës për dhënie mjetesh me qira, me jelek me mbishkrim policia, janë larguar me vrap të gjithë personat që ndodheshin aty dhe konkretisht tek dera e dyqanit është bllokuar shtetasi Gentian Kore, pak metra më tutje ku ishte automjeti tip “Volvo” me targë DO XC 500, janë bllokuar Altin Gega dhe Erjon Prengaj dhe i hedhur tek dera e makinës Volvo është konstatuar dhe një telefon iPhone.

Në drejtimin lindor është larguar me vrap djali me kutitë e picave dhe shtetasi Taulant Çoku, i cili ky i fundit është bllokuar direkt nga shërbimet e policisë. Djali me kutitë e picave është futur mes pallateve në rrugën “Gjolek Kokona” dhe pranë një klinikë dentare, ky shtetas ka hedhur poshtë një makine të parkuar dy kutitë e picave dhe është larguar me vrap dhe ku me gjithë ndjekjen e bërë u është larguar shërbimeve të policisë.

Në njërën nga kutitë e picave është gjetur një pako me letër celefoni transparente, në formë drejtkëndëshi si tullë, brenda së cilës ka material pluhur të ngurtësuar, me ngjyrë të bardhë, të dyshuar si kokainë.

Në momentin e ndërhyrjes para dyqanit të pikës së mjeteve është parë një person, duke filmuar me telefon në dorë, në këtë moment nga shërbimet e policisë duke mos qenë e qartë se çfarë po kërkonte ky person, i është kërkuar të largohej, por ai ka vazhduar të filmojë duke u afruar më shumë dhe është bërë pengesë e punonjësve të policisë gjatë zhvillimit të operacionit.

Në këto rrethana punonjësit e policisë kanë bërë bllokimin e tij dhe në moment e kanë shtrirë në tokë për ta prangosur dhe ka thënë se ishte gazetar. Pas paraqitjes së dokumentit të cilin e ka marrë tek makina, është identifikuar si gazetar me emrin Ergys Gjençaj dhe është lënë i lirë.

Punonjësit e policisë pasi kanë ndërhyrë me momentet e para kanë konstatuar një automjet tip autoveturë, të markës “Mercedes Benz”, me targë AA 909 YE, të cilit i kanë bërë shenjë ndalimi, për ta verifikuar nëse personi në mjet kishte ndonjë lidhje me këtë ngjarje.

Personi në mjet ka ndaluar për momentin dhe nuk ka pranuar të dalë nga mjeti, me gjithë thirrjet e vazhdueshme si policia, ‘ndalo mjetin’ dhe ‘dil nga makina’, ka kundërshtuar punonjësit e policisë dhe duke i dhënë gaz makinës dhe duke u rrezikuar jetën punonjësve të policisë dhe në rrugën e Oxhakut, rreth 200-300 metra më tutje, në ndjekje e sipër, në bashkëpunim me shërbimet e policisë rrugore, ky mjet është ndaluar dhe rezultoi se drejtuesi i automjetit quhej Gazmir Cani, 26 vjeç.

Veprimet janë kryer në prezencë të ekspertit kriminalist dhe janë shoqëruar me fotografi kriminalistike.

Pasi u bë sekuestrimi i lëndës së dyshuar narkotike të llojit kokainë, u bë peshimi dhe rezultoi 1128 gram, e cila do të dërgohet për ekspertim kimik pranë IPSH.

Nga verifikimet e kryera në sistemin e-Gjoba, ka rezultuar se mjeti tip “Volkswagen Foks”, me targa AA 573 SO është në pronësi të shtetases Lorena Gega, e cila është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale dhe ka deklaruar se ka rreth 2 vjet që nuk e përdor këtë makinë dhe se mjeti qëndron kryesisht në restorantin e babait të saj, shtetasit A. Gega, ku ky mjet përdoret nga punëtorët e restorantit për shërbime të ndryshme dhe furnizime.

Është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale shtetasi A. Gega, i cili gjithashtu deklaroi se makina qëndron e parkuar afër restorantit ku merret nga punëtorët dhe përdoret për punë të ndryshme si furnizime, dërgesa ushqimesh etj.

Janë pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni për veprën penale shtetasit Kejvi Skora dhe Klosildo Drisa, punëtorë të lokalit në pronësi të shtetasit Artan Gega, të cilët kanë deklaruar se ditën e sotme kishte ardhur në lokal shtetasi me emrin Edi, i cili kishte marrë makinën tip Volkswagen AA573SO,dhe ishte larguar. Shtetas Kejvi Skora pohoi se në dijeninë e tij shtetasi me emrin Edi, ishte djali i motrës së shtetasit Artan Gega, mbiemrin e së cilës ky shtetas nuk ia dinte, por më tej shpjegoi se nëna e tij punonte në restorantin në pronësi të shtetasit Artan Gega.

Me tej, nga këqyrja e pjesshme e kamerave të lokalit, është bërë i mundur identifikimi i shtetasit Eduard Perhati, të cili i është ushtruar kontroll banese. Bëjmë me dije se nga kontrolli i ushtruar nuk janë gjetur sende të kundërligjshme me interes për hetimin dhe është bërë e mundur gjetja e shtetasit Eduard Perhati.

Është pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime shtetasi Gentian Kore i cili deklaroi se nuk dëshiron të japë shpjegime në këtë fazë dhe se do të japë shpjegime në një moment të dytë.

Është pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime shtetasi Altin Gega, i cili po ashtu deklaroi se nuk dëshiron të japë shpjegime në këtë fazë.

Është pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime shtetasi Taulant Çoku i cili deklaroi se ishte gjendur në ambientet e dyqanit në momentin e gabuar dhe se nuk ka lidhje me shitblerjen e lëndëve narkotike.

Është pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime shtetasi Erjon Prengaj, i cili nuk pranoi të japë shpjegime në këtë fazë të hetimeve.

Është pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime shtetasi Gazmir Cani, i cili deklaroi se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe arsyeja pse është larguar nga vendi i ngjarjes sapo ka vënë re prezencën e punonjësve të policisë, kishte sepse ishte frikësuar pasi mendoi se do t’i vidhnin makinën dhe se rreth 200 më poshtë vendit të ngjarjes, ishte po ky shtetas që lajmëroi policinë për ndihmë, dhe ndaloi kur i pa ato.

U kryen vendimet e ekspertimit kimik dhe daktiloskopik vlerësues lidhur me rasti si dhe janë administruar raporti i shërbimit dhe kapja në flagrancë.

Prokuroria kërkon vlerësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të shtetasve Gentian Kore, Erjon Prengaj, Altin Gega, Taulant Çoku dhe Gazmend Cani.

Po kështu kërkon masën e sigurisë arrest në burg për Gentian Koren, 47 vjeç, Erjon Prengaj, 32 vjeç, Altin Gegën, 28 vjeç, Taulant Çokun, 34 vjeç, me akuzën për prodhim dhe shitje narkotikësh, kryer në bashkëpunim dhe për Gazmir Canin, 26 vjeç për kundërshtim të punonjësve të policisë së rendit publik.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb