Vasilika Hysi, anëtare e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, sqaroi në studion e emisionit “Kjo Javë”  procedurën që ndiqet në rastet kur kërkohet shkarkimi i Presidentit të Republikës.

“ Janë tre hallka që vendosin në Presidenti i Republikës ka kryer shkelje të rëndë. Hallka e parë është komisioni hetimor parlamentar, hallka e dytë e rëndësishme është seanca plenare, dhe e treta gjykata kushtetuese. Opinioni i Venecias është ndihmës. Dhe nëse shihni në kërkesën që ka shtruar kryetari i Kuvendit, nuk kërkohet nëse është fajtor apo jo Presidenti i Repuplikës, por ka shtruar pyetje që lidhen me kushtetutshmërinë me kompetencat që ka Presidenti i Republikës.Nëse i lejohet me Kushtetutë dhe Kodin zgjedhor të marrë një dekret që anulon zgjedhjet, dhe e dyta nëse anulimi i datës së zgjedhjeve është shkelje e të drejtës së  zgjedhësve për të votuar” sqaroi Hysi.

Hysi tha më tej se bazuar në këtë opinion të komisionit të Venecias, do të jetë komisioni hetimor parlamentar, që do të vendosë është kreu i shtetit ka shkelur apo jo kushtetutën.

“Përderisa thuhet që nuk e ka këtë kompentencë ka shkelje, vendimin ne do ta marrim në komision, unë nuk mund të prononcohem jashtë komisionit.” theksoi Hysi, ndërsa  u ndal edhe në zgjatjen e afatit të komisionit hetimor, dhe procedurën se si do të vijohet më tej.

“ Komisioni Hetimor mbaron afatin më datë 8 tetor, dhe rregulli është në bazë të ndryshimeve të rregullores, që në rast se nuk ka përfunduar veprimtarinë në planin hetimor ka të drejtë dhe duhet t’i kërkojë seancës të paktën një javë para shtyrjen e afatit. Fakti që u shty dy muaj nuk do të thotë që duhet të zgjasë detyrimisht dy muaj. Dhe në bazë të opinionit përfundimtar që do të nxjerrë zyrtarisht Komisioni i Venecias më datë 11 ose 12 tetor, komisioni hetimor do mblidhet do ta shqyrtojë.  Ne i kemi bërë edhe një kërkesë Presidencës për të na vënë në dispozicion informacionin që ka pasur për shkak të situatës së jashtëzakonshme që pretendoi presidenti që e detyruar të marrë vendim për të nxjerr një dekret për të anuluar datën e zgjedhjeve. Ky draft opinion, është një material shumë i mirë për të gjitha vendet, ku presidentët tentojnë të kapërcejnë ligjet e vendeve përkatëse, por nga ana tjetër na tregon se si funksionon një shoqëri demokratike ai mekanizmi që ne themi check & balance” –tha Hysi, ndërsa theksoi se nga pyetjet që anëtarët e Venecias drejtuan, secili prej tyre e kishte të qartë se cili do të ishte opinioni.

Hysi nuk ka dashur të komentojë deklaratat e bëra dje nga zëdhënësi i Presidentit, Ilir Meta.

“Unë si deputete e Kuvendit të Shqipërisë, nuk mund të komentoj një zëdhënës. Po të kisha një koleg ndoshta mund të debatoja me të, po ndoshta një zëdhënës i PS, mund t’i përgjigjet zëdhënësit të Presidentit të Republikës. Ajo që dua të theksoj është të presim opinionin përfundimtar të “Venecias” të presim e të shikojmë se kush ka patur të drejtë. 55 firmëtarët e nismës apo Presidenti i Republikës.” tha Hysi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: