Në studion e emisionit “Real Story” në News 24 u diskutua edhe mbi gjetjet e opinionit paraprak të Komisionit të Venecias, i cili i cilësoi të nxituara ndryshimet kushtetuese të Kodit Zgjedhor, ndërsa apelonte për shmangie të ndryshimit të mëtejshëm të legjislacionit zgjedhor para zgjedhjeve.

Drejtori i Informacionit në “News24”, Robert Rakipllari duke komentuar raportin tha se aty tregohet qartë se “Venecia” po thotë se po shkoni në zgjedhje me një mënyrë rregullatore që favorizon njërën palë.

Ai shtoi se pas kësaj rikthehet më shumë vëmendja te problemi i pranimit të zgjedhjeve, një gangrenë e kahershme. Ndërsa analisti Skënder Minxhozi tha se pavarësisht opinionit të “Venecias” nuk sheh arsye pse palët të kontestojnë rezultatin e zgjedhjeve.

Balla: A do na çojë ky raport drejt mosnjohjes së zgjedhjeve nga pala humbëse?

Minxhozi: Nuk e besoj. Kur ti ribën formulën, ribën edhe ndarjen e votave, kur të gjitha palët futen në këtë formulë, i binden asaj, ajo është për të gjithë njëlloj. Palët e marrin të mirëqënë që do luajnë me këto rregulla loje. Kur të gjitha palët i pranojnë rregullat e lojës dhe hyn në lojë ti duhet ta pranosh edhe rezultatin. Kur të gjithë pranojmë rregullat e lojës, kur hyjnë edhe elementët e sigurisë veç nëse dalin fakte të rënda mund të ketë mosnjohje. Opozita besoj unë, ka një bindje se Ramën do ta hedhin në tapet. Vërtet Venecia ka bërë këtë formulim, por jo gjithë ndërkombëtarët kanë qenë gjithmonë në një mendje, se në Tiranë mos harroni u shpik edhe zgjerimi i 5 qershorit, pra u tha se nuk u prek por u zgjerua.

Rakipllari: Analiza që bën Minxhozi dhe që unë jam nga të paktat herë 100 dakord, është pjesa se si e shohin partitë. Raporti i Komisionit të Venecias na jep se çfarë cilësie zgjedhjesh do kemi. Vërtet që opozita thotë se do fitojë, nuk dolën me retorikën që do i vjedhë Rama zgjedhjet, por raporti na tregon se zgjedhjet gjykohen që në fillim. Unë po them se që në fillim, me këtë raport ata pleqtë e mençur po na thonë: po shkoni në zgjedhje me një mënyrë rregullatore që favorizon njërën palë. Unë mendoj që kjo qeveri i ka dhënë provat, qoftë me ndryshimet e rregullave të lojës, pra është nga ato qeveri që i fut duart tek zgjedhjet. Mund të ndodhë edhe që të surprizohemi e të shkojë çdo gjë mirë falë edhe teknologjisë, por Venecia na tregon se në zgjedhje po shkojmë me hile.

Minxhozi: Anglezët e thonë: E ligjshme, por jo e ndershme! jemi në këtë situatë. Formalisht është e ligjshme sepse e kanë miratuar deputetët, ndërsa po të ishte e paligjshme raporti do thoshte mos shkoni në zgjedhje me këto rregulla.

Rakipllari: Në dijeninë time opozita do të dalë me dy lista të mëdha. LSI nuk e negocion siglën në asnjë rast. Krerët e partive të vogla gjithmonë do të bëjnë presion.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: