Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Sali Shehu i ftuar në rubrikën “Opinion” ka folur për disa tema të rëndësishme si protestat, përplasjet në aleatin opozitar, Partinë Demokratike dhe ngjarjen e rëndë të ndodhur në Himarë, ku humbi jetën 7-vjeçarja Jonada Avdia.

Sipas Shehut ngjarja mund të ishte shmangur nëse autoritetet do të kishin marrë masat e duhura për mbarëvajtjen e sezonit turistik dhe ruajtjen e sigurisë.

“Duhej një dorëheqje e padiskutueshme e ministrit të Brendshëm. Po të japë dorëheqjen ministri  i Brendshëm, opinioni do marrë një mesazh demokracie, por edhe familja do ndihej më e qetësuar. Por këtu të jeni të sigurt se nuk do ndodhi. Sepse shteti nuk është i aftë të reagoj për përgjegjësitë e veta”, tha Shehu.

Pjesë nga fjala e Kreut të FRD-së:

Unë besoj se gjithë opinioni publik, jo vetëm opozitar por edhe një pjesë e madhe e shtresës gri janë të bindur se gjërat nuk funksionojnë. Problemi është se opozita duhet të bashkohet e gjitha në një zë për një qëllim. Mendoj se bashkimi pengohet nga arsye subjektive. Çdo zë opozitar që sot është në Shqipëri duhet të jetë bashke që të sigurojë njerëzit të votojnë lirshëm dhe të sigurojnë rrotacionin politik. Çfarë e pengon sot qeverinë shqiptare që të sigurojë një minimum pensioni 300 euro dhe një minimum të pagës minimale, 500 euro. Skandali i fundit janë inceneratorët, ndaj specialistët ekonomikë me një laps të thjeshtë e gjejnë formulën për këtë që them unë.

FRD-ja është shumë e shqetësuar me zhvillimet e brendshme të PD. Nuk jemi përfshirë në problemet e brendshme por kemi bërë thirrje për qetësi dhe dialog i brendshëm për të krijuar shancin që PD-ja të jetë lokomotiva që tërheq të gjithë opozitën në Shqipëri.

Ardhja e Metës në opozitë është një vlerë e shtuar dhe bashkë me të do krijohet një simfoni për të shtyrë njerëzit drejt kutive të votimit. Dhe zgjedhjet lokale do jenë treguesi i kësaj.

Kemi sot një komision që po merret me reformën zgjedhore dhe opozita duhet të jetë e aftë që të injektojë në dispozitat e këtij ligji, mundësitë reale që votat e qytetarëve të shkojnë ku duhet. Le të aplikohet në të gjithë Shqipërinë votimi elektronik.

Qeveria ka dështuar në drejtësi dhe ekonomi. Pasi ekonomia është ekonomia familjare e çdo shqiptari dhe është në nivele shumë të ulëta. Zgjedhjet janë ato që verifikojnë besimin ose jo të popullit ndaj qeverisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: