Pas thirrjeve të opozitës për të qenë i pranishëm në Kuvend, kryeministri Edi Rama është rikthyer duke shpjeguar dhe arsyet e mungesës.

Ai tha se për arsye pune nuk mundi që të ishte në kohë për debatin, duke shtuar se nuk ka asnjë detyrim kushtetues apo normativ për të qenë i pranishëm në seancë.

Kryeministri tregoi ndër të tjera se tolerancën e dhënë prej tij nuk duhet ta marrin si dobësi e të abuzojnë me të, duke theksuar se kjo situatë është përsëritur kështu 8 vitet e fundit.

“Dy fjalë ju detyrohem. Së pari në këtë rregullore nuk shkruhet në asnjë rresht, që asnjë deputet dhe deputete përfshirë dhe mua ka detyrimin të qëndrojë në sallë, kur për një arsye apo një tjetër nuk mund të jetë në sallë. Së dyti dëgjon e gjithë qeveria këtu dhe sigurisht që një debat i zgjatur me aq orë sa është kërkuar, nuk mund të jetë i ndjekur nga të gjithë, por ama gjithçka që thuhet këtu shënohet dhe analizohet më pas. Së treti s’u largova dhe nuk erdha në orën 16:00 për shkak të ngarkesës së punës, si rezultat i faktit që pasnesër do të largohem për shumë ditë relativisht dhe për këtë arsye janë shumë detyra për t’u ndjekur.

Kur mora mesazhin nga kryetarja që ju, kishit ngritur çështjen që të je mi pranishëm gjatë fjalës së kryetarit të PD, thashë që do të vij në orën 17:00. Unë thash që do të vijonin të flisnin të tjerët, në orën 17:00 do të isha këtu dhe do të plotësoja dëshirën tuaj për të qenë këtu. Ndërkohë ju bllokuat foltoren. Me të keq, me akte që vënë përpara forcën fizike, përdorimin e trupit si pengesë, me ne as nuk keni fituar asnjëherë dhe s’do të fitoni asnjëherë. Ja ku jam i gatshëm të dëgjoj kryetarin e PD dhe i qëndroj 100% atyre që thash sot.

Fakti që jam këtu, e gjykova të drejtë kërkesën tuaj të jem këtu i pranishëm. Unë s’kam asnjë detyrim kushtetues dhe normativ, që të qëndroj këtu kur doni ju që të qëndroj. Unë thash që do të isha këtu në orën 17:00, por ju bllokuat foltoren, duke qenë se ndërmorët këtë akt, unë lejova që t’i thërrisnit arsyes dhe ia ku jam. E kam vendosur që të bëj çmos që të krijohen kushtet psikologjike pozitive, por një gjë po ju them, mos abuzoni me tolerancën. Keni 8 vite që përsërisni të njëjtën gjë me shpresën për të përsëritur një rezultat tjetër.

Juve jeni në të drejtën tuaj ta vazhdoni, unë jam këtu me kërkesën tuaj, jo se kam ndonjë detyrim të jem këtu, sepse është e gjithë qeveria, zv. Kryeministri. Dëgjimin e debatit e bën një trupë e angazhuar me respekt dhe vëmendje. Juve nuk ju bërtet njeri nga vendi, nuk ju tregon njeri vendin kur shkelni rregulloren, megjithatë s’ka problem”, u shpreh Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb