Opozita është ndër pasuritë më të çmuara të një vendi me sistem demokratik. Pa të nuk mund të kuptohet qeverisja e vendit dhe realizimi i zgjedhjeve të lira. Mirëpo ajo qëndron e tillë, kur tregohet demokratike dhe konstruktive. Ndryshe, nëse bën Çe Guevarën(revolucionarin argjentinas të viteve 50-të të shekullit të kaluar) në mes të Europës, nëse me vetëdije zgjedh shtigje të pasigurta e gati të parrahura nga asnjë opozitë demokratike më parë në kontinentin tonë, atëherë kemi probleme si qytetarë. Historia e opozitave tona pas vitit 1991 është e mbushur me opozita të papërgatitura, jo të vetëdijshme për misionin e tyre, të gjakosura, të dhunuara, të pakuptuara, të etura për pushtet dhe që kërkojnë zgjedhje të jashtëzakonshme që ditën e parë pas humbjes në zgjedhje, që kujtohen për të përgatitur programin ekonomik një muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme, që harrojnë të krijojnë qeverinë hije, që kopjojnë ide dhe pjesë të tëra programi të pozitës, e me radhë. Zakonisht, kur zgjedhjet e përgjithshme humben nga një parti ose një bashkim partish, kudo në Europë, por edhe më gjerë, është zakon demokratik që drejtuesit e tyre humbës të japin dorëheqjen. Duke u liruar vendin konkurruesve të tyre në parti, që mund të kenë ide të reja. Me shpresë dhe madje edhe besim se të rinjtë do të jenë të aftë ta bëjnë partinë ose grupimin e partive të fitojë në garën e ardhshme. Kjo nuk ka ndodhur te ne dhe është shkaku kryesor i problemeve të opozitës së sotme të votuar nga 475 mijë qytetarë në qershor 2017.

Shqetësimet e saj për blerjen e zgjedhjeve, për lidhjet e qeverisjes së sotme me krimin e organizuar dhe për kapjen e shtetit nga disa kompani private mbizotëruese në treg janë të gjitha aty dhe të gjitha reale. Por nga e vërteta e këtyre shqetësimeve tek sjellja si opozitë guerilase, bllokuese rrugësh kombëtare dhe hedhëse bombash molotov ka në mes një oqean të tërë. Si bllokimet rrugore dhe bombat zjarrvënëse kanë kuptim kur kemi një qeveri të kriminalizuar deri në rrënjë të flokëve(sa kërkon opozita e votuar të na bindë si qytetarë). Kur ka prova të forta dhe të pakundërshtueshme për lidhje të tilla okulte me kriminelët. Prova që mund të bëjnë edhe xhiron e botës se si një qeveri në mes të Evropës qeveris nëpërmjet ndikimit të grupeve të krimit të organizuar. Mirëpo, po të ishte qeveria jonë mirëfilli e tillë, si mund të honepsej ajo nga ndërkombëtarët, nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Organizata për Sigurim dhe Bashkëpunim në Evropë(OSBE), e me radhë? Aq të verbër qenkan ndërkombëtarët në rastin tonë? Pse ata qëmtojnë shkeljet e të drejtave të njeriut dhe regjimet e kriminalizuara në çdo kënd të botës, në Filipine, Sri-Lanka, në regjimet ushtarake në Afrikë, në Amerikën Latine dhe qenkan aq qorra sa të mos dallojnë regjimin kriminal të Tiranës? Si mund të mbulohet dielli me shoshë në mes të Evropës?

Në të kundërt, këta ndërkombëtarë, kaq vrojtues të rregullt dhe të kujdesshëm, që i dinë të gjitha poret e pushtetit dhe mekanizmat e ndikimit tek të gjitha qeveritë e Ballkanit JugPerëndimor dhe jo vetëm tek ato, e quajnë qeverinë tonë të sotme si qeveri legjitime të dalë nga zgjedhje të rregullta! Atëherë, kush ka të drejtë, opozita jonë në rrugë dhe në veprime guerilase, apo ndërkombëtarët? Duhet ta ndajmë mendjen si qytetarë. Të kuptojmë se nga anon e vërteta. Askush nuk do që fëmijët në vatër t’i tremben nga shpërthimet e bombave molotov në protestat e opozitës. Por nëse vërtetë bindemi në kauzën e opozitës së votuar të vendit, le të dalim edhe ne të gjithë në rrugë. Ndryshe, nëse nuk bindemi, nëse mendojmë se kjo opozitë po vepron kështu, ngaqë i trembet një humbjeje të radhës në garën zgjedhore që afron, duhet të dalim që të mos dëgjojmë më shpërthime bombash molotov pranë vatrave tona. Do arrijmë ta bëjmë këtë, nëse bindemi që ndërkombëtarët kanë të drejtë? Sigurisht që nuk do ta bëjmë. Jemi qytetarë pasivë, që vullnetin tonë e shprehim vetëm një herë në katër vjet, me votën që hedhim në kutinë e votimit. Prandaj dhe abuzohet, shihet kaq rëndshëm me vullnetin tonë. Prandaj dhe të gjitha partitë kërkojnë pazar politik më të favorshëm, duke luajtur në emrin tonë. Kjo lojë do të vazhdojë, për sa kohë do të vijojmë të jemi pasivë dhe të presim vetëm zgjedhjet e radhës. Por çfarë do të ndodhë nëse opozita e votuar do të na pengojë të shkojmë në kutitë e votimit? Si duhet të sillemi si qytetarë të thjeshtë e asnjëherë të konsideruar të këtij vendi? Të durojmë pa reaguar lojërat e ithta dhe të papërgjegjshme të politikës së ditës, që edhe pse orë e çast përbetohet se ka në zemër interesat tona, vetëm për ato nuk i bëhet kurrë vonë?

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb