Akademiku Artan Fuga, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, duke folur për listat e hapura, deklaroi se në sytë e publikut, nuk kemi lista të hapura.

“Politikanët mund të thonë se kemi lista të hapura, por parë në sytë e publikut, këta nuk janë lista të hapura. Do të kishim lista të hapura, kur në lista do të ishin emra që duhen nga ana e elektoratit. Këta janë lëvizje të brendshme të partive, jo lista të hapura.  E dyta, opozita e bashkuar kërkon të drejtën e koalicioneve. Opozita e bashkuar ka një pozicion pra. Nëse palët nuk bien dakord, çështja të shkojë në parlament. Për mua edhe Kuvendi nuk është legjitim”, tha Fuga.

Artan Fuga u shpreh se opozita e bashkuar nuk e ka luksin të mos hyjë në zgjedhje, pavarësisht formulave me koalicionet.

“Opozita nuk e ka luksin të mos hyjë në zgjedhje. në këtë kuptim, është e detyruar ta pranojë, duke e kritikuar gjithsesi.  Nuk mund të thotë opozita që nuk hyjmë në zgjedhje, pasi do të ishte një katastrofë. Është e vështirë që kryetarët e partive të lëshojnë pe. Nuk mund të lëshojë vendin kryetari dhe vendin e tij ta zërë dikush tjetër më poshtë në listë për shembull. Secila parti duhet që të vendosë kandidatë që do sipas një kodi zgjedhor. Jem i pjesë e një absurdi. Secila palë gjykon vetë si bën listat. ne kemi mentalitet për ligje të ngushta”, u shpreh Fuga.

Më tej, Fuga deklaroi se oferta e maxhorancës për rritje të pagës minimale në 30 mijë lekë, duket absurde, për sa kohë ne nuk dimë sa mund të jetë inflacioni.

“Ofertat nga partitë duhet të jenë modeluese. Maxhoranca thotë se do të rrisë rrogat, por nuk dihet sesi është politika e taksave. Fakti që rris rrogën, për mua nuk ka kuptim, sepse mund të ketë inflacion e situata mund të jetë edhe më keq, ndoshta. Janë elemente të rëndësishëm në debat, por nuk e shikoj themelore që elektorati të dijë kë të zgjedhë”, tha akademiku Fuga.

(d.xh/ balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb