KOSOVE

Partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate kanë deklaruar se nuk do të bashkëpunojnë me Listën Serbe për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti,  është shprehur se partia e tij do të procedojë në Kuvend mocionin e votëbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj, në momentin që i siguron 61 vota, për rrëzimin e qeverisë, por sipas tij nuk do të pranojnë kushtëzime nga askush.

“LDK do të procedojë me mocion te votëbesimit ndaj Qeverise së PAN-it në momentin që sigurohen 61 vota në Kuvendin e Kosovës. Por, nuk pranon asnjë kushtëzim nga askush”, ka thënë Hoti, përmes një postimi në Facebook.

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi ka deklaruar se pavarësisht se Qeveria Haradinaj u formua me bekimin e Qeverisë së Serbisë, si parti nuk pranojnë rrëzimin përmes Listës Serbe.

“Pavarësisht se Qeveria u formua me Listën Serbe, respektivisht me bekimin e Qeverisë së Serbisë, ne nuk e rrëzojmë Qeverinë përmes kësaj partie, por përmes opozitës së Kosovës.

Ne as nuk i llogarisim e as nuk i kërkojmë votat e Listës Serbe për ta rrëzuar Qeverinë. Qeveria e Kosovës duhet të bjerë, zgjedhje duhet të ketë sa më parë, por jo sepse do Serbia, por sepse duan qytetarët e Kosovës.”, -ka thënë Selimi.

Sipas tij ndonëse Vetëvendosje nuk mbështetet në vullnetin e Listës Serbe, nëse këta të fundit vendosin të votojnë pro rrëzimit të Qeverisë, atëherë partia e tij nuk mund t’ua ndalojë një gjë të tillë.
Shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, ka thënë se partia e tij nuk ka vota për të bashkëpunuar me Listën Serbe në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk kemi vota për ata që i quajnë bandita përfaqësuesit legjitim të Kosovës dhe për ata që veprojnë çdo ditë kundër Republikës së Kosovës. Mbetemi jo vetëm të hapur, por edhe të interesuar, për bashkëpunim me të gjitha forcat progresive lokale dhe rajonale, që angazhohen për barazi midis popujve”, ka thënë mes tjerash Sejdiu.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb