Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta i ftuar në studion e emisionit “Open” ka folur në lidhje me situatën politike në vend si edhe opozitën disa javë para zgjedhjeve vendore të 14 majit.

Meta deklaroi se kryeministri Rama po bën “marrëzirat që bën” për shkak se i trembet 14 majit, që sipas tij është arsyeja se pse Rama nuk ka pritur vendimet e gjykatave si në rastin e aksionit ndaj “Prestige Resort”.

Sipas tij opozita po konkurron në mënyrën më legjitime në prag të zgjedhjeve të 14 majit dhe se puna e logos së Partisë Demokratike e cila prej kohësh u kthye në çështje për opozitën, është puna e vetë Ramës.

“Puna e logos është puna e Edi Ramës, opozita po konkurron në mënyrën më legjitime, janë zhvilluar Primaret. Ishin procesi më legjitim ku morën pjesë mijëra simpatizantë demokratë. Opozita ka kandidatët më me integritet. Rama korrupton drejtuesin e opozitës, korrupton deputetët, nuk ka pasur në konsideratë pensionistët. I ka rritur me 22% në gjithë këto vite.

Ne si opozitë po shkojmë drejt 14 majit, kjo e tmerron Edi Ramën, prandaj i bën këto marrëzira Rama. Pse të presë procese gjykate Rama, se ka tmerrin e 14 majit. Çdo qytetar që ka parë ato pamje të tmerrshme e ka parë që ka trokitur pasiguria në shtëpinë e çdo shqiptari.

Mua më duket tepër i dëshpëruar dhe i pasigurtë. Një njeri që ka siguri respekton ligjin dhe Kushtetutën me parimet demokratike. Kjo është sjellja e një njeriu të pasigurtë që mendon se do i trembë të gjithë, por të tjerët revoltohen.

Unë them bandë, po raporti çfarë thotë për aktin ndaj Prestige Resort, po për aktin ndaj biznesit të Agron Shehajt, vetëm bandat veprojnë në këtë mënyrë ashtu si Edi Rama. Vetëm njerëz me probleme të rënda psiqike bëjnë akte të tilla”, u shpreh Meta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: