* Prokuroria kërkon 30 ditë paraburgim për Albin Kurtin, mbi të rëndojnë 3 akuza

* Policia: Janë arrestuar 87 persona, dy policë dhe dy aktivistë të lënduar

* Kurti mbërrin në prokurori në Pallatin e Drejtësisë pas arrestimit

* Ngjarjet në Kosovë, PDIU: Thirrje për qetësim të situatës, arrestimi i Kurtit më 28 Nëntor, i papranueshëm

KOSOVË- Partitë opozitare në Kosovë janë mbledhur sot në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, në shenjë protestë kundër marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërkohë, Vetëvendosja dhe partitë e tjera janë shprehur kundër dhe demarkacionit me Malin e Zi. Pak minuta pasi manifestimi i opozitës përfundoi paqesisht, policia e Kosovës rrethoi godinën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe arrestoi ish-liderit të saj Albin Kurti, dhe disa aktivistë.

Dhjetëra aktivistë të Vetëvendosjes, që kishin rrethuar selinë e VV, i bënë thirrje policisë së Kosovës që të mos arrestojnë Albin Kurtin, pasi në të kundërt do të përballen fizikisht me ta.

Protestuesit u futën brenda objektit për të ruajtur Albin Kurtin, ndërsa para hyrjes ndodhej Policia e Kosovës që nuk lejoi afrimin e turmës së njerëzve.

Në momentin kur policia iu afrua hyrjes së Vetëvendosjes në përpjekje për të larguar aktivistët, këta të fundit u kanë hedhur spraj lotsjellës në sy.

Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë mbështetësit, ndërsa më pas edhe i kanë arrestuar.

Ndërkaq, para momentit të arrestimit të Kurtit rreth Vetëvendosjes u mblodhën edhe shumë qytetarë të tjerë.

Në mesin e shumë të arrestuarve është edhe Fitore Pacolli dhe asambleisti Ylli Hoxha, si dhe disa protestues.

Paraprakisht policia arrestuoi të gjithë personat që gjendeshin në zyrat e Lëvizjes.

Duke marrë shkas nga kjo situatë, policia ka bllokuar disa rrugë të Prishtinës. Sipas mediave kosovare, policia dyshohet se ka hedhur ndaj një pjesë të protestuesve gaz lotsjellës, por kjo nuk është konfirmuar ende.

Pas kësaj, rreth 60 aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje u vendosën në rrugën “Luan Haradinaj”, në shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si dhe disa dhjetëra aktivistëve të tjerë të kësaj lëvizjeje.

Në mesin e protestuesve është edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe nënkryetari i kësaj komune, Dardan Sejdiu, të dy nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët janë duke komunikuar me pjesëtarët e njësisë speciale të Policisë së Kosovës.

Ata kanë kërkuar nga Policia e Kosovës që të largohet dhe të lirojë rrugën “Luan Haradinaj”, e cila është bllokuar nga policia pas arrestimit të zotit Kurti.

JA MOMENTI I ARRESTIMIT TE ALBIN KURTIT

GJYKATA VENDOS 30 DITË BURG PËR ALBIN KURTIN
ORA 21:15 Gjykata Themelore ka caktuar këtë masë të sigurisë, pas kërkesës së Prokurorisë.

Masa e sigurisë i është caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer tri vepra penale, pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, mbajtje të armës dhe shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm.

PROKURORIA KËRKON 30 DITË PARABURGIM PËR KURTIN, MBI TË RËNDOJNË 3 AKUZA
ORA 19:00 Prokuroria e Kosovës ka kërkuar 30 ditë paraburgim për deputetin Albin Kurti.

Deputeti i VV-së në këto momente gjendet në prokurorinë Themelore në Pallatin e Drejtësisë.

Ai dyshohet për tri vepra penale, “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, “mbajtje të armës” dhe “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

NGJARJET NË KOSOVË, PDIU: THIRRJE PËR QETËSIM TË SITUATËS, ARRESTIMI I KURTIT MË 28 NËNTOR, I PAPRANUESHËM
ORA 18:40 Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet bën thirrje për qetësimin e situatës në Kosovë. Në një deklaratë për mediat, PDIU thekson se “arrestimi i Albin Kurtin më 28 nëntor është i papranueshëm”.
“Ajo që nevojitet është maturi dhe dialog. Arrestimet e këtij lloji, në këto ditë, nuk janë rruga e duhur për zgjidhjen e kundërshtive. 28 Nëntori është dita e flamurit, që bashkon shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Çamërisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Preshevës e diasporës, të ndarë nga padrejtësia historike. Ajo nuk mund të jetë dita e arrestimit për motive politike. PDIU i bën thirrje presidentes së Kosovës, të thërrasë tryezën e partive politike, për të gjetur zgjidhje politike në tejkalimin e ngërçit, sigurimin e interesave kombëtare në çështjet e demarkacionit dhe asociacionit dhe në normalizimin e jetës institucionale në Kosovë”, thuhet në deklaratën e PDIU.

POLICIA: JANË ARRESTUAR 87 PERSONA, DY POLICË DHE DY AKTIVISTË TË LËNDUAR
ORA 17:50 Policia ka dërguar një komunikatë për media ku konfirmon arrestimin e Albin Kurtit dhe 87 aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

KURTI MBËRRIN NË PROKURORI NË PALLATIN E DREJTËSISË PAS ARRESTIMIT
ORA 18:20 Albin Kurti pas arrestimit është dërguar në Pallatin e Drejtësisë, ku i është dorëzuar Prokurorisë për procedurat e mëtejshme.

Policia e Kosovës thotë se ashtu siç edhe e parashikon urdhërarresti, Kurti është shoqëruar te organet e drejtësisë.

Kjo nënkupton që Kurti është dërguar para prokurorit kujdestar.

AAK KËRKON LIRIMIN E DEPUTETËVE
ORA 17:30 Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar ndaj arrestimit të ish-liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, ku thuhet se mbajtja në paraburgim e deputetes Donika Kadaj-Bujupi, arrestimi sot i deputetit Albin Kurti, si dhe shumë aktivistëve të tjerë të VV-së, brenda selisë, është i papranueshëm dhe nuk ndikon në qetësimin e situatës.

AAK thotë se tubimi i sotëm madhështor në Prishtinë, ishte një manifestim qytetar i kundërshtimit të dy marrëveshjeve, që përfundoi pa asnjë incident.

“Ngjarjet e mëpastajme po bëhen me qëllim të zbehjes së një kundërshtimi kaq popullor. AAK, kundërshton aksionet e pushtetit për përndjekjen e opozitës dhe kërkon nga krerët institucionalë, që të mos e instrumentalizojnë policinë e shtetit për qëllime politike. Deputetët duhet të jenë të lirë dhe ata nuk mund të arrestohen për shkak të veprimtarisë së tyre politike, prandaj kërkojmë lirimin e mënjëhershëm të tyre”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

SEJDIU PARA KORDONIT TË POLICISË: KURTI ËSHTË I VETMI NJERI QË BËN SHUMË PËR KOSOVËN
ORA 16:52 Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, ka folur para kordonit të Policisë duke u sugjeruar atyre që mos t’i ngucin aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Sejdiu, sipas Kosovapressit, ua ka përmendur policëve shallin e shtrenjtë të ministrit Skënder Hyseni si dhe u ka thënë atyre që të kenë kujdes se si sillen me njerëzit që kërkojnë të mos themelohet Asociacioni i Komunave Serbe.

Ai tha se Policia i ka arrestuar të gjithë aktivistët e Lëvizjes ndërsa ka shprehur pakënaqësi se deputeti Albin Kurti është arrestuar në Ditën e Flamurit.

Sipas tij, “Kurti është i vetmi njeri që bën shumë për Kosovën”.

sejdiu

VV: POLICIA KA ARRESTUAR MBI 90 AKTIVISTË
ORA 16:40 Lëvizja Vetëvendosje, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se Policia e Kosovës ka arrestuar dhjetëra aktivistë të kësaj Lëvizje.

“Policia ka arrestuar dhunshëm dhjetëra aktivistë në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo polici e cila është vënë në mbrojtje të ‘Zajednices’ vazhdon t’i mbajë të bllokuara zyrat tona. Rezistenca e aktivistëve në rrugë po vazhdon dhe ‘Zajednica’ nuk do të kalojë”, shkruhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Policia ka arrestuar mbi 90 aktivistë deri më tash. Disa prej tyre janë të lënduar rëndë nga dhuna brutale policore. Dënojmë arrestimin e tyre të padrejtë dhe kërkojmë lirimin e tyre të menjëhershëm”, thuhet në njoftimin e radhës të Vetëvendosjes.

FATMIR LIMAJ PËR “NEWS 24”: MARRËVESHJET ME SERBINË, KUNDËR INTERESIT TË KOSOVËS
ORA 16:35 Pas arrestimit të deputetit Albin Kurti, ka folur për “News 24” edhe kreu i ‘NISMA’, Fatmir Limaj. Duke u shprehur se marrëveshjet me Serbinë janë kundër interesit të Kosovës, Limaj tha se ky pushtet kërkon zgjidhje me mjete represive.

“Zgjidhja me mjete represive është mungesë vizioni. Zgjidhja duhet të vijë vetëm nëpërmjet dialogut. Për marrëveshjet duhet të shkojmë në referendum popullor”, tha Limaj.

FORCAT SPECIALE RRETHOJNË SELINË E VV PËR ARRESTIMIN E ALBIN KURTIT
ORA 15:45 Policia e Kosovës ka rrethuar Lëvizjen Vetëvendosje duke kërkuar arrestimin e deputetit Albin Kurti. Rreth Vetëvendosjes janë mbledhur edhe shumë qytetarë të tjerë.

Në Vetëvendosje ndodhen edhe deputetët e tjerë të Vetëvendosjes të cilët e kanë përcjellë Kurtin deri tek selia.

Vetë Lëvizja Vetëvendosje përmes Facebook-ut ka njoftuar se Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës kanë rrethuar zyrat e Lëvizjes.

Policia është vënë në kërkim të deputetëve të Vetëvendosjes ndaj të cilëve janë lëshuar fletarreste për veprimet e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Albin Kurti, një ndër deputetët e Vetëvendosjes ndaj të cilit është lëshuar urdher-arrest, ndodhet brenda selisë së Lëvizjes Vetëvendosje.

“Njësitet speciale të Policisë së Kosovës kanë rrethuar zyrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Qindra policë kanë bllokuar çdo rrugë pranë zyrave tona. Ftojmë aktivistët që të mblidhen tek zyra e VETËVENDOSJE!-s”, ka njoftuar Vetëvendosje.

Po vazhdojnë të shtohen forcat e policisë. Tashmë është bërë rrethimi i hekurt përreth gjithë selisë së Vetëvendosjes. Policia e Kosovës konfirmon se kanë informatë se deputeti Albin Kurti ndodhet në objektin e Vetëvendosjes te Qafa.

Njësi speciale të Policisë së Kosovës kanë bllokuar hyrje daljet që lidhin me selinë e Vetëvendosjes. Rruga e UÇK-së për momentin është e mbushur me njësite speciale të policisë, të cilët si duket do të mund të ndërhyjnë me arrestimin Albin Kurtit.

Deputeti Albin kurti, pas përfundimit të marshit protestues, ka mbërritur në selinë e Vetëvendosjes.

POLICA: KURTI S’U ARRESTUA NË MANIFESTIM PËR SHKAK TË MUNDËSISË PËR ESKALIM TË SITUATËS
ORA 15:30 Policia e Kosovës, përmes një njoftimi zyrtar për media thotë se ka poseduar informacione lidhur me pjesëmarrjen e Kurtit në protestë, por se nuk e ka arrestuar gjatë manifestimit me qëllim të moseskalimit të situatës.

“Kemi pasur informacion lidhur me pjesëmarrjen e personit të kërkuar me Fletë Arrest të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, mirëpo bazuar në vlerësimet e situatës, dhe me qëllim të mos eskalimit të situatës gjatë manifestimit nuk ka ndërmarrë veprime për ndalimin e tij, por që këto veprime do të ndërmerren nga Policia ashtu siç parashihet me Fletë Arrest”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Sipas PK-së, zbatimi i ligjit, garantimi i rendit dhe qetësisë publike, lëvizja e lirë dhe mbarëvajtja e qetë e kësaj dite festive ka qenë prioritet i PK-së, duke përfshirë edhe sigurinë ndaj personave fizikë, juridikë si dhe parandalimit të dëmtimit të pronës shoqërore dhe atyre private.

“Policia e Kosovës bazuar në planifikimet e saja ka pasur të angazhuar zyrtar policor të mjaftueshëm për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, mbarëvajtjen e qetë të manifestimit e cila ka filluar rreth orës 14:00, dhe falë edhe pjekurisë dhe kulturës së lartë të qytetarëve, manifestimi ka përfunduar rreth orës 14:50 në mënyrë të qetë pa incidente”, thuhet në njoftimin e Policisë.

VV: NE SHESH SOT JANE MBLEDHUR MBI 35 MIJE PERSONA PER TE PROTESTUAR
Nga ana tjetër, VV-ja në një mesazh në rrjetin social ‘Facebook”, ka deklaruar se në shesh sot janë mbledhur për të protestuar mbi 35 mijë persona.
“Sipas të dhënave të sakta të pjesëmarrësve që janë paraqitur tek strukturat tona, në këtë protestë pjesëmarrja është si vijon:
– Nga qytetet e fshatrat e Kosovës janë pjesëmarrës të konfirmuar: 19,369 qytetarë,
– Nga Prishtina, të konfirmuar sipas degëve tona janë: 11,521 qytetarë,
– Nga Shqipëria, Maqedonia, Lugina, Mali i Zi e Diaspora kanë konfirmuar mbërritjen në Prishtinë: 1,023 qytetarë,
– Në këtë përllogaritje nuk përfshihet pjesëmarrja spontane e qytetarëve”, bëhet e ditur në njoftim.”, citohet në mesazhin e Lëvizjes Vetëvendosja.

(ed.me/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb