Demokratë, gazetarë, miq, të njohur, të panjohur, më kanë bërë këto ditë thuajse të njëjtat pyetje: Ç’po bëhet me PD-në? Çfarë do të ndodhë në Kongres? Po në shtator çfarë pritet të ndodhë?… Unë që ende s’jam mësuar me gjuhën mushkë të politikanit dhe me gjasë as kam për t’u mësuar ndonjëherë, u përgjigjem shkurt: me sa di unë, jo ndonjë gjë e madhe.

Sepse nuk e konsideroj gjë të madhe zgjedhjen e kryetarit, përgatitjen e një kongresi, zgjedhjen e strukturave të tjera drejtuese si Këshilli Kombëtar, kryesia, sekretariatet etj., shkurt procedurën normale burokratike të një partie në raste të tilla. Partia Demokratike po kalon momente dramatike të historisë së vet, momente që po i kalon edhe vendi. Drama e blerjes masive të votës na ka zhytur në baltovinën e mos ndryshimit. Depresioni ka kapluar pjesën më të madhe të popullatës, e cila mendon si e si t’ia mbathë nga ky vend që nuk ofron më asnjë shpresë. Humbja i ka topitur demokratët dhe deklaratat retorike të liderëve të saj për përballjen me regjimin ngjallin shumë pak entuziazëm. Pyetjet bazike të përmendura më sipër që të bombardojnë nga të gjitha anët shprehin një shqetësim për fatin e opozitës dhe opozitarizmit në Shqipëri.

Njerëzit e dinë fare mirë se ç’ka ndodhur me zgjedhjet, ata madje e pranojnë me një ndjenjë fatalizmi se jemi në kushtet e një regjimi, por kërkojnë të dinë se si do të jetë përgjigjja e opozitës në këto rrethana të reja. Për fat të keq, kjo përgjigje nuk po jepet nga PD deri më tash. Dhe dy ngjarjet që duhet të jepnin një përgjigje ishin dhe janë fushata për zgjedhjen e kryetarit të PD-së dhe Kongresi i Partisë Demokratike. Fushata për zgjedhjen e kryetarit të PD-së që rikonfirmoi edhe një herë Lulzim Bashën kryetar të PD-së, nga ky këndvështrim nuk dha asnjë përgjigje. Debati kryesor i kësaj fushate u orientua më tepër rreth faktit nëse ishin blerë apo jo zgjedhjet, debat ky absurd pasi edhe socialistët e dinë, e pranojnë dhe e thonë rëndom se zgjedhjet janë blerë. Duke u marrë me këtë debat shterp u harrua ideja themelore: ideja e opozitarizmit të ardhshëm.

Lulzim Basha u rizgjodh kryetar i PD-së dhe në gjykimin tim duhej të rizgjidhej, por ende nuk e ka dhënë një përgjigje se pse duhej të rizgjidhej. Kandidatët e tjerë dështuan gjithashtu ta bënin një gjë të tillë. Ata e kërkonin largimin e Bashës, madje edhe duke bërë të vetat pohimet e qeverisë se zgjedhjet ishin normale, por faji ishte i opozitës së Bashës. Ata nuk e kishin një ide të opozitarizmit të ardhshëm të PD-së dhe me përjashtim të Kadillit që hodhi disa ide për ringritjen e PD-së, përveç dëshirës për të qenë kryetarë të PD-së nuk ofruan gjë tjetër. Orientimi rreth këtij debati pengoi gjithashtu një analizë të thellë të shkaqeve që çuan në këtë realitet të ri politik, të problemeve të thella të krijuara në PD gjatë 30 viteve të ekzistencës së saj si një nga dy forcat kryesore në vend. Normalisht, këtë gjë duhet ta bëjë Kongresi, por kështu si po përgatitet ky kongres nuk premton ndonjë gjë të madhe.

Duket se si përherë po shkohet drejt një ngjarje politike rutinë, drejt një takimi ku duartrokitjet dhe thirrjet për shtrëngimin e radhëve do të jenë ku e ku më të fuqishme se analizat, idetë, alternativat. Mendoj se ky kongres do të vijon nga faqja 1 jetë i dështuar nëse nuk na jep një profil të PD-së së nesërme, ose më saktë një ide të opozitarizmit të ardhshëm. Dhe kam drojë se është vonë për ta bërë një gjë të tillë, edhe pse për të bërë gjënë e duhur nuk është asnjëherë vonë. Ky kongres nuk mund dhe nuk duhet të jetë një kongres rutinë, por një platformë për diskutimin e sfidave, me të cilat duhet të përballet PD-ja në të ardhmen. Organizatorët e tij duhet të gjejnë mënyrën që PD më në fund të hapë një debat të brendshëm, por edhe me shoqërinë për shumë sfida që lidhen me fatin e opozitës, opozitarizmit dhe demokracisë shqiptare.

Më në fund, PD duhet të përballet me faktin se qysh prej zgjedhjeve të marsit të vitit 1992, PD nuk është parti me numrin më të madh të votave, madje edhe kur është parti fituese e zgjedhjeve. Ky fakt i përmendur shpesh nga kundërshtari është anashkaluar vazhdimisht, a thua se anashkalimi i saj e zgjidh vetë problemin.

Zgjidhja e këtij problemi nënkupton jo vetëm një ide hapjeje, por një ristrukturim të marrëdhënieve të PD-së me grupet e interesit, shoqërinë civile, botën akademike, mediat, pra, me shoqërinë shqiptare në tërësi. Për shkak të ngurtësimit 30-vjeçar të këtyre marrëdhënieve në PD, mendohet gabimisht se nevoja e trupës politike të PD-së për pushtet është edhe nevojë e shoqërisë shqiptare. PD është hapur, rihapur, mbyllur, rimbyllur, por problemin e shndërrimit në forcë të parë elektorale nuk e ka zgjidhur ende. Shpeshherë, kjo çështje është mbyllur me përgjigjen se shumica e elektoratit shqiptar është i majtë, argument i pambështetur mirë pasi e shikon trupën e shoqërisë si të pandryshueshme.

PD duhet të ndërtojë një strategji për shndërrimin në forcë maxhoritare dhe kjo bëhet duke analizuar bazën sociale të vetën, të kundërshtarit, por edhe potencialin e mundshëm elektoral përtej bazës tradicionale. Gjithashtu, ky kongres do të ishte një rast i mirë për të diskutuar çështjen e lidershipit dhe modelit të tij në PD. A do të vazhdojë PD të jetë një parti e lidershipit të modelit të Berishës edhe pa Berishën kryetar? Si mund ta fitojë besueshmërinë kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në mandatin e tretë të tij pas dy humbjeve në mandatin e parë dhe të dytë? Mungesa e besimit te Basha si lider i PD-së më tepër se nga dublimi që i ka bërë Berisha me protagonizmin politik brenda dhe jashtë PD-së, ka pas të bëjë me faktin se Basha shfaqej si një lider berishist, por pa diskursin dhe aksionin politik të Berishës.

A mos duhet vënë në diskutim vetë modeli i partisë së tipit lider? Nëse lideri nuk e krijon besimin te shumica e shqiptarëve, a mos duhen gjetur forma të një organizimi të tipit më përfaqësues, më plural përmes dobësimit të rolit të liderit dhe kufizimit të funksioneve të tij dhe krijimit të një bazë më të gjerë përfaqësimi përmes një lidershipi ku lideri është një lider i tipit “primus inter pares”, një lloj menaxheri modern. Kjo çon automatikisht në krijimin e një marrëdhënie të re mes liderit dhe strukturave drejtuese, mes strukturave drejtuese dhe anëtarësisë. Partia Demokratike funksionon nga pikëpamja organizative si një strukturë e atrofizuar, e tipit klasik, ku rolet përcaktohen nga një individ, pra, lideri, i cili interpreton jo vetë rolin e tij, por edhe rolin e të tjerëve dhe ku nuk ka asnjë hapësirë për interpretimin e rolit. Parimi i organizatave moderne është krejt i kundërt: secili rolin e vet dhe mënyrën e tij të interpretimit të rolit.

Përveç kësaj, një nga problemet themelore që duhet t’i japë përgjigje PD në Kongres është problemi i marrëdhënieve me sistemin politik dhe shoqëror që kemi ndërtuar në këto 30 vjet: e pranon atë si të mirëqenë me disa arnime që ofrojnë programet elektorale, apo kërkon ri- formatimin e tij. Ideja e Republikës së re të hedhur para katër vjetëve ishte një propozim me mjaft interes për shqiptarët, por nuk kishte si të kishte sukses për shkak se gjitha aksioni politik i ndërtuar mbi idenë e Republikës së Re u hodh nga erë nga marrëveshja Rama–Basha. Rimarrja e kësaj ideje mund të krijonte një hapësirë të re ndërveprimi mes PD-së dhe asaj pjese të shoqërisë shqiptare që e kërkon ndryshimin. Në këtë hapësirë mund të krijoheshin mundësi për bashkëveprim të gjerë me aktorë shoqërorë përtej PD-së, natyrisht duke hequr dorë nga arroganca e partive shqiptare për ti përfshirë të gjithë brenda vetes, madje duke u krijuar garanci atyre për ndarjen e pushtetit të ardhshëm. Sepse një parti që do pushtetin vetëm për veten e vet e ka të vështirë të marrë kon- sensusin e duhur shoqëror për të ardhur në pushtet.

Këto janë vetëm disa nga çështjet për diskutim që mund të shtrohen në Kongresin e PD-së. Askush nuk e ka ekskluzivitetin e përcaktimit të asaj se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të diskutohet aty. Efikasiteti dhe dobishmëria e tij do të varet shumë nga modalitetet e zhvillimit të tij. Deri tani po bëhet një analizë nëpër strukturat e PD-së, analizë që nisur nga koha e shkurtër në dispozicion mund të rezultojë në një analizë jo shumë të thellë. Organizatorët e kongresit deri tani, përveç kësaj analize, nuk kanë përcaktuar qartë modalitetet e zhvillimit të kongresit, mënyrën e paraqitjes së ideve dhe propozimeve, formatin e debatit të tyre, mënyrën se si ato do të paraqiten dhe mbrohen në kongres, mënyrën e votimit etj. Në këtë kuptim ekziston rreziku që kongresi të shndërrohet në një ngjarje rutinore, në një spektakël të zakonshëm PR-i, ndërkohë që pritshmëria e demokratëve dhe shoqërisë shqiptare është krejt tjetër: pas këtij kongresi ata presin të shohin profilin e qartë të një opozite që do të përballet me regjimin, strategjitë dhe taktikat e kësaj përballje si dhe një alternativë ndryshimi. Ata tashmë e kanë të qartë se një forcë politike që nuk ka fuqi të ndryshojë vetveten, nuk mund të fitojnë besimin e qytetarëve se mund të ndryshojë shoqërinë./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb