Opozita do të dalë sot në shesh, në të parën protestë qëkur Sali Berisha mori drejtimin e saj.

Qytetarët janë lajmëruar të dalin në orën 7 përballë Kryeministrisë, ndërkohë që lideri i opozitës i bëri thirrje një ditë më parë policisë të mos provokonte turmën.

Ndërkohë që opozita do të protestojë në Bulevard, Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë për në Vlorë ku do të marrë pjesë në inaugurimin e hapjes së bypass të qytetit bregdetar.

Pavarësisht mungesës së tij, brenda godinës së kryeministrisë sot pritet të ketë anëtarë të kabinetit qeveritar.

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali tha se më të pakënaqurit me qeverinë do të jenë në fakt në katin e dytë të kryeministrisë.

“Sali mos kujto se edhe ata që ke rrotull nuk e dinë që janë thjesht mercenarë në një luftë që nuk u përket. Për paradoks protestuesit më të ashpër ndaj kësaj qeverisje, të pakënaqurit më të mëdhenj me këtë qeverisje do ti keni përballë, do të jenë në katin e dytë të kryeministrisë Sali, aty nga ku t’i shihje Gardën që qëllonte mbi protestuesit, do të shohësh jo kryeministrin, por kryeprotestuesin”, tha Spiropali sot në Kuvend.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: