Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku e ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24 ka folur në lidhje me çështje si ajo e ish-agjentit të FBI-së Charles McGonigal dhe lidhjen e tij me kryeministrin Rama, si edhe protestat e opozitës.

Sipas saj protestat në vend kanë treguar se krahas tyre duhet të ketë edhe shumë gjëra të tjera për të ardhur në pushtet, ndërsa shtoi se opozita duhet të fokusohet te oferta e saj për qytetarët.

Sa i përket çështjes “McGonigal”, Tabaku tha se kjo aferë vetëm sa e ka vërtetuar korrupsionin i cili është denoncuar më parë, teksa vijoi duke thënë se nëse nuk do kishte përfshirje të qeverisjes në këtë rast nuk do përmendej as emri i Ramës në aktakuzë.

“Ne kemi bërë protesta të mëdha dhe çfarë arritëm, asgjë, qeveria ishte prapë aty. Protestat shërbejnë si një akt revolte, por nuk janë mënyra për të ardhur në pushtet dhe nuk do jenë asnjëherë. Unë besoj se PD ka shumë arsye për të protestuar që lidhen me shumë çështje. E ardhmja e PD nuk varet nga asnjë lloj vendimi, por duhet të jetë zgjidhje politike. Nuk flas dot me nëse.

Ne kemi folur për korrupsionin dhe e kemi faktuar. Fakti që kjo aferë arriti të ngrihej në objekt akuze në SHBA e fakton korrupsionin edhe politik që ka ndodhur. Nëse nuk do kishte asnjë lidhje nuk do ishte përfshirë fare qeverisja shqiptare. Ajo dëshmon atë që korrupsioni ekziston dhe është tani pjesë e aktakuzës. Ne kemi kërkuar interpelancë që nuk u lejua dhe mocionin me debat. Komisioni hetimor duhet të ngrihet medoemos. Pas komisionit të inceneratorëve qeveria nuk ka dashur të lejojë asnjë komision tjetër”, tha Tabaku.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: