Në fjalimin e tij para qytetarëve të pranishëm në Sheshin “Skënderbej”, ministri i Diasporës, Pandeli Majko, i bëri thirrje opozitës aktuale që pas zgjedhjeve të bashkohen e t’i përvishen punës së bashku.

I ftuar në studion e emisionit “Real Story”, në “News 24”, Majko, komentoi këto fjalë, e sqaroi se është nxjerrë nga konteksti fjala bashkëqeverisje.

Ai tha se nuk do të ketë bashkëqeverisje me Partinë Demokratike dhe ftesa e bërë sipas tij, është për t’u ulur dhe diskutuar mbi reformat e lëna përgjysmë.

“Fushata s’ka mbaruar akoma, në aspektin e kohës, fushata mbaron në orën 00:00 të ditës së premte. Ka qenë një fushatë tepër e veçantë, për shkak të rrethanave, të sistemit. Mendoj që kemi bërë më të mirën për të maksimalizuar votën tonë. Votën e numrit 12. Më pas përtej gardhit është për t’u parë. Kemi një angazhim të mirë të votave tona.

Ka ende vota që po i ndjekim me vëmendje, atje ku kemi mundësi për të vendosur një komunikim njerëzor. Kjo do të ishte ironi nëse Rama s’do të ishte i 8-i në Durrës dhe Vlorë. Kjo është strategji e jona në favor të fitores tonë. Po të shohësh kontekstin e atyre që ka ndodhur në 4 vitet e fundit, sensi i bashkëpunimit ka ardhur nga Rama.

Aktualisht ne kemi një opozitë të larguar nga Parlamenti, është jashtë sistemit. Sjellja në një balancim normal të sistemit është bashkëpunimi me opozitën. Bashkëpunimi nuk do të thotë bashkëqeverisje, por është ulja për të folur për reforma të ndryshme. Fjalori i përdorur tregon që s’po shkojmë në zgjedhje, por në përplasje civile. Kjo është një ilaritet. Fakti që përdorim bashkëpunimit është për rikthimin e normalitetit në Shqipëri”, u shpreh Majko.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb