Kryeministri Edi Rama u shpreh se opozita e bashkuar dhe lideri i saj janë një katastrofë për vendin.

Gjatë një interviste për gazetarin Lutfti Dervishi në TVSH, Rama tha se Presidenti e ka kryer detyrën e tij me dinjitet gjatë periudhës së luftës.

“Me Presidentin kemi dakordësi për një arsye shumë të thjeshtë që Presidenti qysh se ka filluar lufta ka bërë detyrën e tij, ka thënë gjërat e duhura për njerëzit, ka ndihmuar me sa ka pasur mundësi dhe faktikisht përtej asaj që është filmi i ndërprerë nga lufta nuk kam absolutisht asgjë për të mos qenë në dakordësi me Presidentin për sa i përket luftës.

Është fatkeqësi kombëtare që edhe në këtë luftë të vazhdojë avazi i vjetës dhe pllaka e gramafonit të mos ndryshojë. Është fatkeqësi kombëtare, është taksirat i këtij populli dhe këtij vendi.

Fatkeqësisht, përsëri edhe një herë tjetër kur gjendet përpara nevojë për t’i folur popullit nga mikrofoni, qoftë ai, qoftë partia e tij janë një katastrofë, një katastrofë”, theksoi ai.

I pyetur për mbështetje ndaj medias dhe sportit, kreu i qeveria tha se vëmendje kryesore është për ata në vështirësi ekstreme.  “Mendoj që e para dhe e vetmja mbetet puna, puna e atyre që janë në vështirësi ekstreme dhe nuk mendoj që pa atë punën e përjavshme të kampionatit, nuk mendoj se futbollistët janë në vështirësi ekstreme. Në hall të madh është edhe qeveria në kuptimin e administratorit të buxhetit të përbashkët”, shton.

I pyetur për pagesa për ata që kanë punuar në të zezë, kryeministri deklaroi se “nuk do ta hapnim këtë shteg. Do të përballeshim me një numër marramendës njerëzish që pretendojnë se kanë punuar në të zezë dhe këtë nuk e ka bërë asnjë shtet. Nuk ka luftë të qartë dhe luftë e qartë është që ti duhet të fitosh. Të tjerat janë të gjitha të paqarta dhe gjëra që sqarohen ditë pas dite. Nuk ka në luftë qartësira sepse nuk është një luftë që do ta bëjnë disa dhe të tjerët që rrinë në shtëpi dhe të fitojnë indulgjencat”.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb