Vijon edhe këtë të diel mbledhja maratonë e Kryesisë së Alibeaj. Kryesia e PD-së e drejtuar nga kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj pritet të vendosë sot se si do të dalë në zgjedhjet e 14 majit.

Gazetari Osman Stafa tha për “BalkanWeb”:  “Ditën e sotme Kryesia e PD zyrtare do të diskutojë një për një të gjitha bashkitë dhe çdo gjë do të bëhet me proces vote”.

Kryesia e PD-së do të vendosë sot përfundimisht se si do dalë në zgjedhje, teksa tre grupimet që janë kristalizuar brenda Kryesisë kanë propozime të ndryshme.

Burimet i thanë Balkanweb se Jorida Tabaku, Dhurata Çupit dhe Oriola Nebiajt kërkojnë që të dalin në zgjedhjet e 14 majit vetëm me kandidatë për Këshillat Bashkiakë.

Grupi tjetër i Gazment Bardhit dhe Indrit Sefës, kërkojnë të dilet me kandidatë në pak zona, të cilat vlerësohet se mund të fitohen dhe grupi tjetër që përbën shumicën e Kryesisë dhe që drejtohet nga Alibeaj kërkojnë që të dalin patjetër në Tiranë me kandidat për kryetar bashkie dhe në 20-30 bashki, mes të cilave Fieri, Korça, Dibra, Kuçova dhe Kurbini dhe të mos ketë kandidatë në zonat ku vlerësohet se fitojnë kandidatët e Primareve. Për Tiranën siç është mësuar janë Jonila Godole dhe Roland Bejko.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: