Ishte 22 shkurt i këtij viti ku ish-deputeti Alqi Bllako u thërrit nga Komisioni Hetimor Parlamentar për Inceneratorët, që të dëshmonte. Ish-deputeti asokohe, refuzoi të jepte dëshmi me arsyetimin që një të tillë e kishte dhënë në SPAK, struktura që po merrej me hetimin e kësaj çështjeje.

“Të nderuar kolegë deputetë, anëtar të këtij komisioni hetimor të nderuar, më lejoni t’ju informoj se sa i përket objektit të hetimit të këtij komisioni, unë në cilësinë e personit që kam dijeni kam dhënë një dëshmi të plotë shteruese, nga A në Zh për gati 5 orë pranë përfaqësuesve të nderuar të SPAK. Gjatë dëshmisë dhe në përfundim të saj jam bërë me dije se ajo që kam deklaruar përbën sekret hetimor. S’më është lejuar të marr kopje të asaj që kam deklaruar. Në saj të praktikës së shëndetshme ligjore të vendosur nga ky komision, besoj se jam në kushtet e pa mundshmërisë për të dëshmuar për çka di lidhur me këto procedura. Çdo gjë që di e kam dëshmuar në atë organ. Jam i gatshëm të nënshkruar deklaratën përkatëse në fjalë. Akuzat e ngritura në këtë komision janë të padrejta”, u shpreh Bllako.

Zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit dhe vorbulla e diskutimeve më pas që përfshinë Partinë Demokratike me dorëheqjen e ish-kryetarit Lulzim Basha, do e zhvendosnin vëmendjen te ky kamp politik. Por, do të mendonte sërish SPAK që të rikthehej te afera, që opozita e quan si më të rëndën e këtyre viteve demokraci. Më 29 mars, SPAK lëshon 9 urdhër-arreste, përfshirë edhe ish-sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako. Por, duke qenë se Bllako ishte deputet kësisoj kishte imunitet nga arrestimi. Për këtë arsye, SPAK i dërgon një shkresë Kuvendit ku kërkonte që t’i hiqej mandati i deputetit Bllakos.

AKUZAT

SPAK në dosjen e saj hetimore sqaron se Bllako, aso kohe sekretari i Përgjithshëm të Mjedisit, bashkë me kryetarin e Komisionit të Shpronësimit, Pëllumb Abeshi, në bashkëpunim me ish-Ministrin e Mjedisit Lefter Koka kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar për inceneratorin e Fierit. Ata kanë paraqitur të dhënat e pronës së shpronësuar, duke dorëzuar dhe propozuar pranë Këshillit të Ministrave projektvendimin dhe relacionin për shpronësim për kategorinë e pronës “tokë truall”, ndërkohë që rezulton e provuar se prona është “tokë arë”.

“Në lidhje me procedurën e shpronësimit të pronës ku do të ndërtohej Inceneratori i Fierit, pasuria nr.1, ZK.2636, Vol.10, Fq.63, lloji i pasurisë “tokë arë”, me sipërfaqe 111 564 m2 , nga hetimet kanë rezultuar të dhëna për veprime të kundraligjshme të Kryetarit të Komisionit të Shpronësimit, shtetasit Pëllumb Abeshi, në bashkëpunim me Ish-Ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe Ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Mjedisit Alqi Bllako, të cilët kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, duke paraqitur dhe propozuar pranë Këshillit të Ministrave projektvendimin dhe relacionin për shpronësim për kategorinë e pronës “tokë truall”, ndërkohë që rezulton e provuar se prona është “tokë arë”.

Mbi bazën e këtij dokumentacioni me vendimin e Këshillit të Ministrave nr.951,datë 28.12.2016, është vendosur shpronësimi i pronës ku do të ndërtohej inceneratori në shumën 46 299 060 (dyzet e gjashtëmilion e dyqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëdhjetë) lekë. Si rrjedhojë, ka rezultuar një dëm ekonomik në buxhetin e shtetit në vlerën 16 288.344 (gjashtëmbëdhjetë milion e dyqind e tetëdhjetë e tetë mijë e treqind e dyzet e katër) lekë. Veprimet dhe mosveprimet e personave të mësipërm janë në kundërshtim me VKM nr.89, datë 03.02.2016 “Për miratimin e hartës së vlerës së tokës në Republikën e Shqipërisë”, VKM nr.584, datë 28.8.2003 “Për Miratimin e Rregullores së Këshillit të Ministrave”, Kreu II, “Nisma për Projektaktin”, pika 3 dhe 4 e saj”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Thërritja e Këshillit të Mandateve dhe anulimi i saj

Pas kësaj shkrese, Këshilli për Rregulloren Mandatet dhe Imunitetin vendosi që të mblidhej me datë 30 mars, për të shqyrtuar këtë kërkesë. Teksa u publikua dhe ora që
do të mbahej mbledhja (Ora 18:00), pritej që Bllako të paraqitej dhe këshilli të vendoste ose jo heqjen e mandatit, por ndodhi një tjetër zhvillim! Deputeti njoftoi në rrjete sociale se do të dorëzonte pranë Kuvendit mandatin e deputetit dhe do i përgjigjej thirrjes së drejtësisë.

“Të nderuar miq!
Natyrisht jam i tronditur nga kërkesa e SPAK-ut për ndalimin tim. Kam bindjen e thellë që një proces i paparagjykuar dhe i drejtë do ta provonte lehtësisht pafajësinë time; me bindjen e palëkundur se as kam shkelur kurrë ligjet e vendit e madje as kam thyer kurrë etikën e detyrës që kam ushtruar!
Sidoqoftë, nuk ka arsye të angazhohet Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për këtë çështje dhe as nuk dua të përfitoj apo të më ofrohet një trajtim ndryshe nga çdo qytetar tjetër i vendit tonë.

Unë nuk kam mburojë mandatin e deputetit, por të vërtetën për pafajësinë time. Këtë do ta provoj në gjykatë dhe përpara opinionit publik.
Prandaj kam vendosur që ditën e nesërme t’i paraqes Kryetares së Kuvendit dorëzimin e mandatit tim si deputet i Republikës së Shqipërisë, dhe të përballem me akuzën pa asnjë privilegj. Si një qytetar i zakonshëm, si prind dhe familjar i përgjegjshëm; dhe mbi të gjitha si një shërbëtor publik, që padyshim e kupton se çdo angazhim vjen edhe me çmimin e përbaltjes politike apo edhe me detyrimin e sqarimit të së vërtetës para drejtësisë!

Ju jam thellësisht mirënjohës për mbështetjen!

Mezi pres t’u provoj të vërtetën dhe të drejtën e pastër miqve, dhe padyshim armiqve!”, shkroi Bllako.

Një dit më pas, ashtu siç edhe kishte paralajmëruar, Bllako paraqet zyrtarisht shkresën për dorëzimin e mandatit në Kuvendin e Shqipërisë.

  • foto galeri

Pak orë pas këtij vendimi, Këshilli për Rregulloren, Mandaten dhe Imunitetin anulon mbledhjen e thirrur.

Njoftimi i Këshillit të Mandateve:

Në vijim të njoftimit pararendës për zhvillimin e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin
Ju bëj me dije se, pas depozitimit të shkresës për “Dorëzim të mandatit parlamentar” nga Z. Alqi Bllako, Kryetarja e Kuvendit me urdhërin nr. 24. datë 30.03.2022 ka urdhëruar anulimin e mbledhjes të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, e caktuar për tu zhvilluar ditën e mërkurë, datë 30.03.2022, ora 18:00
Në e-mail tuaj zyrtar ju janë dërguar:
Shkresa e zotit Alqi Bllako për “Dorëzimin e mandatit parlamentar”
Urdhëri nr. 24, datë 30.03.2022 për anulimin e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin

Kontrolli në banesë dhe vetëdorëzimi

Në orët e mbrëmjes së të enjtes së 31 marsit, Policia shkoi në shtëpinë e Bllakos në zonën e Tiranës së Re në kryeqytet. Por ata dolën “duarbosh”, pasi deputeti nuk u gjet në shtëpi. Gazetarja Klodiana Lala, raportoi për “BalkanWeb” se është plot dritëhije fakti që Bllako nuk është gjetur në banesë, pasi me urdhër të SPAK, ai duhej të mbikëqyrej çdo kohë nga zyrtarët policorë. Në fakt, disa orë më vonë, deputeti zgjodhi që të vetëdorëzohej rreth orës 03:30 të mëngjesit të 1 prillit në polici, konfirmuar kjo edhe nga SPAK. Sakaq, të shtunën e 2 prillit, Gjykata dha masën e sigurisë për Alqi Bllakon. Ashtu si për eprorin e tij në kohën që ishte sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, Lefter Koka, edhe ndaj Bllakos u vendos masa e arrestit me burg. Ky vendim u kontestua dhe u cilësua si i padrejtë nga avokati mbrojtës, Sokol Hazizaj.

“Më tepër është jo ligjore dhe jo e drejtë, la në fuqi këtë lloj vendimi që për në është tërësisht dhe haptazi jo vetëm në mungesë të respektit dhe lirisë të Alqi Bllakos, por edhe në mungesë të dijenisë që ka kjo gjykatë dhe organi procedural i hetimit për Kodin e Procedurës Administrative”, tha Hazizaj.
Ai goditi SPAK duket thënë se është në pamundësi për të bërë një analizim dhe se nuk është Bllako ai që ka firmosur faturat: Tre faktet penale për të cilat ka identifikuar organi procedural i hetimit, që lidhet me shpronësimin e tokës, janë akte të prodhuara jo nga Alqi Bllako, dakord? Nuk është prodhuar akti nga Alqi Bllako. Bllako në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm ka përcjellë vetëm dokumentacionin për shkak të akteve që dalin nga këshilli i ministrave”.

Mirëpo së fundmi mësohet edhe deklarata që Bllako ka dhënë para trupës gjykuese. Ai ka thënë se nuk është i martuar, por bashkëjetonte me gruan që është nëna e tre fëmijëve të tij. Për këtë arsye, ai ka kërkuar një masë më të zbutur, pra kalimin nga arrest me burg, në arrest në shtëpi.
“Me status jam beqar, por bashkëjetoj dhe kam tre fëmijë, ndaj dhe i lutem gjykatës ta zbusë masën e sigurisë dhe nga arrest me burg të shpallur në mungesë të vendosë arrest shtëpiak”, mësohet të ketë deklaruar ish-deputeti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb