NGA KLODIANA LALA

TIRANE- Gjykata Kushtetuese pranon pjesërisht ankimimin e Partisë Demokratike, dhe shfuqizon si antikushtetuese disa nga nenet e ligjit për “organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Vendimi është marrë të premten në mbledhjen e gjyqtarëve kushtetues.

Pas shumë diskutimesh gjykatësit kanë votuar për shfuqizimin e pesë neneve, të cilët i konsiderojnë në papajtueshmëri të plotë me Kushtetutën. Në këto kushte, ligji, pjesë e paketës së reformës në drejtësi, pritet të kthehet për rregullime në Kuvend.

Po cilat nene ka shfuqizuar Kushtetuesja?

Burime të besuara për “News 24” e “BalkanWeb”, thanë se janë shfuqizuar 61 dhe 159 të ligjit, ku parashikohet mënyra sesi organizohen dhe ushtrojnë funksionin e tyre Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë.

Gjithashtu antikushtetues është parë edhe neni 169 pika 5, ku parashikohet e drejta e ministrit të Drejtësisë ose përfaqësues të tij, për të marrë pjesë pa të drejtë vote në mbledhjet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe të Komisioneve të Përhershme të këtij Këshilli, si dhe të marrë çdo informacion që i vihet në dispozicion anëtarëve të Këshillit.

Në fakt, Partia Demokratike kishte kërkuar edhe shfuqizimin e disa neneve të tjera, e që përbënin edhe thelbin e ankimimit, pasi lidheshin direkt me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë.
Lidhur me këtë pjesë të kërkimit të opozitës, në mbledhjen e gjyqtarëve ka patur shumë debat, por në fund ankimimi është rrëzuar, pasi nuk është arritur kuorumi.

Burimet saktësuan se, 4 gjykatës votuan pro pranimit të ankimimit dhe 3 prej tyre kundër, por që kërkesa të pranohej nevojiten 5 vota.

Ligji për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë, është i dyti në radhë pas atij të statusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që kthehet nga Gjykata Kushtetuese për rregullime në Kuvend.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb