Sulmet ajrore izraelite që shkatërruan katër ndërtesa të larta gjatë konfliktit të majit në Rripin e Gazës, mund të përbëjnë krime lufte, tha organizata e të drejtave të njeriut Human Rights Watch (HRW). Në këto sulme nuk është lënduar askush, por, sipas HRW-së, disa dhjetëra familje kanë mbetur pa strehë.

Autoritetet izraelite kanë thënë atëbotë se grupet militante palestineze i kanë përdorur kullat e sulmuara për qëllime ushtarake. Por, HRW tha të hënën se Izraeli nuk ka ofruar asnjë provë për t’i mbështetur këto pretendime.

Sipas Kombeve të Bashkuara, së paku 256 njerëz janë vrarë në Gaza dhe 13 të tjerë në Izrael, gjatë 11 ditëve luftime në muajin maj. Luftimet kanë nisur pas disa javësh tensione midis izraelitëve dhe palestinezëve në Jerusalemin Lindor, të cilat kanë kulmuar me përleshje në një lokacion që konsiderohet i shenjtë si nga myslimanët, ashtu edhe nga hebrenjtë.

Hamasi – grupi militant islamik që sundon në Gaza – ka filluar të hedhë raketa në drejtim të Izraelit, pasi ka kërkuar nga ai që të tërhiqet nga lokacioni i shenjtë.

Izraeli është përgjigjur me sulme ajrore. Midis 11 dhe 15 majit, sulmet izraelite kanë shkatërruar kullat Hanadi, Javhara, Shorouk dhe Jala në qytetin e Gazës. HRW tha se hetimet e saj nuk kanë gjetur dëshmi se anëtarët e grupeve militante, të përfshira në operacionet ushtarake, kanë pasur prani aktuale ose afatgjate në ndonjërn prej kullave në kohën kur ato janë sulmuar.

“Edhe sikur të kishte prani të tillë, sulmet duket se kanë shkaktuar dëme të parashikueshme, në mënyrë joproporcionale ndaj pronës civile”, thuhet në raport. Organizata tha se hetimet e saj bazohen në intervistat me 18 palestinezë, që kanë qenë dëshmitarë të sulmeve ose janë prekur nga to, si dhe në analizimin e videove dhe fotografive.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: