Organizata ndërkombëtare “Oxfam” tha se çdo minutë 11 njerëz vdesin nga uria në botë. Oxfam është organizatë që merret me luftimin e varfërisë dhe të premten publikoi raportin “Shumëfishohet virusi i urisë”.

Organizata tha se numri i njerëzve që përballen me kushte jetese të urisë është rritur për gjashtë herë gjatë vitit të fundit. Sipas, Oxfam, numri i të vdekurve nga uria tejkalon shifrën prej shtatë personash, sa vdesin në minutë nga sëmundja COVID-19.

“Të dhënat janë shokuese. Këto nuk janë vetëm statistika, pasi bëhet fjalë për njerëz që përballen me vuajtje të paimagjinueshme”, tha udhëheqësja e Oxfam America, Abby Maxman.

Organizata bëri të ditur se rreth 155 milionë njerëz në të gjithë botën aktualisht jetojnë me pasiguri për qasje në ushqim. Shifra shënon një ngritje prej 20 milionësh krahasuar me vitin e kaluar.

Rreth dy të tretat e tyre përballen me uri, sepse vendi i tyre është në konflikt ushtarak.
“Në shumë vende, në vend që të luftohet pandemia, palët në konflikt luftuan me njëra-tjetrën, duke u dhënë kështu goditjen e fundit miliona njerëzve të përballur me krizën ekonomike dhe katastrofat klimatike”, tha organizata.

Por, shtetet duket se qëndrojnë indiferente ndaj këtij problemi, pasi Oxfam thotë se pavarësisht pandemisë, shpenzimet globale për armatim u rritën për 51 miliardë dollarë. Kjo shifër tejkalon së paku gjashtë herë shumën e cila i duhet Kombeve të Bashkuara për të frenuar urinë në botë.

“Uria vazhdon të përdoret si një armë lufte, duke penguar civilët nga qasja në ushqim dhe ujë dhe duke penguar ndihmën humanitare. Njerëzit nuk mund të jetojnë të sigurt ose të gjejnë ushqim kur tregjet e tyre po bombardohen dhe të korrat dhe bagëtia shkatërrohen”, tha Maxman.

Gjendja më e keqe, sipas raportit, është në Afganistan, Etiopi, Sudanin e Jugut, Siri dhe Jemen. Të gjithë këto vende janë të përfshira në konflikt.
Ndërkohë, ngrohja globale dhe pasojat ekonomike të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit kanë shkaktuar një rritje prej 40 për qind të çmimeve globale të ushqimit.

Kjo rritje ka kontribuar që miliona njerëz të bien në pragun e urisë, tha raporti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: