Katari ka nënshkruar një marrëveshje me Këshillin e Europës (duke u pranuar si anëtar vëzhgues në Këshill), pasi synon të shkëmbejë njohuritë dhe ekspertizën, sidomos në lidhje me “FIFA World Cup 2022”. Marrëveshja, që njihet si “Konventa e ‘St Denis”, u njoftua gjatë një ceremonie nënshkrimi në Francë dhe do të ndihmojë të gjitha palët të bashkëpunojnë në një sërë çështjesh, sidomos përgatitjet për rendin, sigurinë dhe shërbimin në lidhje me Botërorin 2022.

Këshilli i Evropës ra dakord t’i japë statusin e vëzhguesit të Katarit pas diskutimeve me “Komitetin Suprem për Projekte dhe Trashëgimi të Katarit” (SC) në Konferencën e parë të Sigurisë dhe rendit më Nëntor 2017. Përfaqësuesi i Katarit në Këshillin e Evropës, z. Ibrahim Al Mohannadi, nënshkroi marrëveshjen në emër të SC-së. Pas nënshkrimit, ai theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje: “Siguria dhe qetësia e të gjithë pjesëmarrësve në Kupën e Botës FIFA 2022 është me rëndësi të madhe për ne,” tha ai. “Duke bashkëpunuar ngushtë me Këshillin e Evropës dhe vendet e tij anëtare, SC mund të ofrojë një qasje të unifikuar rreth sigurisë, rendit dhe shërbimit gjatë turneut”.

Që nga viti 2012, SC ka koordinuar mes organizmave katariane dhe agjencive ndërkombëtare në lidhje me planifikimin e rendit dhe sigurisë në fusha vendimtare, siç janë zbatimi i ligjit, legjislacioni, trajnimi dhe planifikimi. Shpresohet që marrëveshja e re të ndihmojë që turnetë e futbollit dhe ngjarje të tjera sportive të organizohen një mjedis të qetë, të sigurt dhe mikpritës, përmes zbatimit të një qasjeje të integruar për rendin, sigurinë dhe shërbimin.

Qëllimi i deklaruar i Këshillit të Evropës është të mbrojë të drejtat e njeriut, demokracinë, sundimin e ligjit në Evropë dhe të promovojë kulturën evropiane. E themeluar në vitin 1949, ka 47 shtete anëtare dhe mbulon rreth 820 milionë njerëz. Marrëveshja me Këshillin e Evropës mbikëqyret nga një komision i përhershëm për të monitoruar zbatimin e tij dhe funksioni i tij është të sigurojë që shtetet anëtare të Bashkimit Evropian të aderojnë në të gjitha dispozitat e saj. Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes me SC-në (Komiteti Suprem për Projekte dhe Trashëgimi) e Katarit u zhvillua në Palais de l’Europe në Strasburg, Francë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: