Qendra e Sigurisë për Europën Juglindore, e drejtuar nga Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu në bashkepunim me David Philips, drejtues i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Columbia University, organizuan një forum për situatën dhe të ardhmen e Kosovës.

Në këtë konferencë morën pjesë qindra pjesëmarrës nga rajoni dhe SHBA, diaspora në Amerikë.

Folës të këtij forumi ishin: analisti i njohur Daniel Server, David Philips, Michael Hatzel, Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ish Kryeministër, Blerim Reka, Ministër, Arta Dade, ish Ministre e jashtme e Shqipërisë, Fatmir Mediu, Ish Ministër i Mbrojtjes, Miodrag Vlahovic, ish Ministër i Jashtëm i Malit të Zi dhe Sonja Biserko, kryetare për të drejtat e njeriut në Serbi.

Të gjithë folësit parashtruan qëndrimin e tyre në mbështetje të pavarësisë së Kosovës dhe integritetit të saj territorial.

David Philips që moderoi panelin theksoi se SHBA ka qenë në krah të Kosovës për pavarësinë e saj. “Kosova duhet të përcaktojë qartë qëllimet e saj në mënyrë që të gëzojë mbështetjen e SHBA dhe BE”, tha ai.

Ai bëri me dijeni se shumë përfaqësues të diasporës shqiptare në Amerikë i janë drejtuar Presidentit Trump me një letër, ku kërkohet të ruhet sovraniteti i Kosovës dhe reciprociteti në dialogun me Serbinë, si dhe duke protestuar për marrëdhënie me njerëz që nuk garantojnë zgjidhje të qëndrueshme.

Daniel Server, David Philips dhe Michale Hatzel, mbështetës të njohur të Kosovës, theksuan se ndryshimi i kufijëve është një lëvizje e rrezikshme, në dëm të Kosovës dhe stabilitetit në rajon dhe nxitimi për zgjidhje para zgjedhjeve Presidneciale në Amerikë është në disfavor të shqiptarëve, duke pasur në konsideratë peshën e Serbëve në Ohio, një shtet i pavendosur ku serbët kanë një peshë elektorale të konsidrueshme.

Ata theksuan se SHBA duhet të ketë një vëmendje të madhe në Kosovë dhe Ballkan, dhe të ndikojë në një zgjidhje të drejtë, duke njohur dhe vlerësuar arritjet dhe interesat amerikane gjatë administratës Klinton dhe Bush e duke shtuar se kjo duhet bërë në harmoni me BE. “Administrata Trump duhet të bashkëpunojë me BE, në vecanti me Gjermaninë dhe Britaninë, për t`i dhënë një zgjidhje përfundimtare dialogut Kosovë – Serbi”, thanë ekspertët.

“Shqiptarët kanë qenë dhe mbeten aleatët dhe miqtë më të afërt të SHBA në Europë”, vlerësuan ata. Mediu theksoi se situata gjeopolitike në rajon ka ndryshuar dhe përfshirja e Rusisë në këtë diskutim është në dëm të interesave të Kosovës dhe rajonit.

“Çdo tendencë për shtete etnike në Balkan i shërben Rusisë, për të justifikuar ndërhyrjen e saj në Gjeorgji dhe aneksimin e Krimesë, si dhe për të frenuar proçeset integruese në BE dhe NATO të Ballkanit.

Marrëdhënia e Ramës dhe Thaçit me Vucic, i ka dhënë mundësi Vucicit dhe Serbisë, që të fitojë një kredibilitet të padrejtë, që nuk e ka pasur në SHBA dhe BE, si dhe të shfaqet si pjesë e zgjidhjes në një kohë që është e kunderta. Marrëdhëniet e tij me Putin dhe Rusinë e Kinën, synojneë të rikthejnë dominancën Serbe në rajon, pengojnë zgjerimin e NATO-s dhe të aneksojnë Republica Serbska nga Bosnje Herzegovina.

Politika dhe Institucionet në Kosovë duhet të jenë të unifikuar në qëndrimin e tyre politik dhe institucional, për zgjidhjen e problemeve me Serbinë, e vënë në diskutim integeitetin e saj territorial”, u shpreh Mediu.

Vjosa Osmani, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës theksoi se dialogu me Serbinë u shndërrua në marrëdhënie dhe marrëveshje sekrete të liderëve të Kosovës dhe Serbisë për ndryshimin e kufijve, duke hapur kështu kutinë e Pandorës dhe kërcënuar stabilitetin rajonal. Ajo theksoi nevojën e reciprocitetit dhe ndëshkimit të krimeve të Serbisë në Kosovë, e cila për fatin të keq është lënë në harresë.

Kryeministri Haradinaj theksoi se vendosja e tarifës ishte një hap i rëndësishëm, i cili frenoi ndarjen e Kososvës, me gjithë presionet e mëdha nga Rama dhe Thaci dhe Vucic. “Ne i ulem në dialog me Serbine e cila nuk ka kërkuar falje për krimet në Kosove dhe kjo u konsiderua si dobësi. Kosova nuk mund të shkoj mbrapsh dhe të vërë në diskutim atë që ka arritur, pra  pavaresinë dhe integritetin e saj territorial.  BE fatkeqësisht nuk ka pasur një qëndrim të unifikuar, cdo gjë e cila ka ndikuar negativisht”, tha Haradinaj.

Ai deklaroi se ndryshimi i kufijve ishte një marrëveshje e vendosur e tre përfaqësuesve, Vucic, Rama, Thaci, të cilët së bashku kërkonin të merrnin mbështetjen e SHBA dhe BE.

Ministri Blerim Reka theksoi se askush nuk mund të vendosë në diskutim legjitimitetin e Kosoves. “E ardhmja e Kosovës është ajo euro-atlantike dhe se ne duhet të garantojmë një qeverisje liberale dhe të eliminojmë kapjen e shtetit. Dialogu me Serbinë duhet bazuar mbi reciprocitetin, i cili nuk është një akt, por filozofi e një marrëdhënie të qëndrueshme ndërkombëtare, një marrëdhënie ndërmjet dy shteteve të pavarura.

Kryetarja e të drejtave të njeriut në Serbi Sonia Biserko theksoi se ideja e ndarjes sē Kosovës është një ide e viteve 80, e cila është ringjallur nga Vucic dhe qarqe të tjera ekstremiste, për interesa politike, dhe ajo tha se ishte e habitur se si qeveria e Tiranës ishte dakord me këtë lëvizje në dëm të Kosovës dhe stabilitetit në rajon.

Znj Dade vuri theksin në një politikë të unifikuar shqiptare ndër vite, ndryshe nga sot, në mbështetje të pavarësisë së Kosovës dhe stabilitetit të rajonit.

Ish Ministri i Jashtëm i Malit të Zi Vlahovic vuri në dukje se Beogradi në bashkëpunim me Moskën, jo vetëm janë shprehur  kundër zgjerimit të NATO-s, por në Malin e Zi u përpoqën të organizojnë dhe eleminimin e Presidentit Gjukanovic.

“Në rajon kemi qeverisje të korruptuara dhe të inkriminuara, që ngjajnë me qeverisjen e Putin dhe aspak me demokracinë”, tha ai.

Pas takimit shumë pjesëmarrës kërkuan organizmin periodik të këtij forumi për të ardhmen e Kosovës.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb