Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, ka organizuar për të tretën herë Kuizin Evropian të Parasë.

Në aktivitet kanë marrë pjesë 360 nxënës të klasave të 9-ta nga i gjithë vendi, të cilët kanë konkurruar në bazë ekipore nëpërmjet platformës online Kahoot.

Njoftimi i plotë:

Më 25 mars 2021, Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD), në kuadër të Javës së Parasë për vitin 2021, organizoi për të tretën herë Kuizin Evropian të Parasë. Në këtë aktivitet morën pjesë 360 nxënës të klasave të 9-ta nga i gjithë vendi. Këtë vit konkursi u realizua online dhe pjesëmarrësit konkurruan në bazë ekipore nëpërmjet platformës online Kahoot! Aktiviteti u shfaq në kohë reale (Livestream) në kanalin YouTube të AAB-së.

Ky konkurs është kthyer në një nismë të përvitshme, me qëllim përmirësimin e kulturës financiare të moshave të reja.

Ekipi fitues i vendit të parë është nga shkolla 9-vjeçare “Sotir Gurra” në Korçë dhe përbëhet nga nxënësit: Pandush Kosta dhe Anastasia Myftarlli.

Skuadra fituese do të konkurrojë duke përfaqësuar Shqipërinë në finalen evropiane të Kuizit të Parasë, që do të zhvillohet online më 20 prill 2021.

Ekipi fitues i vendit të dytë është nga shkolla 9-vjeçare “Turgut Ozal” në Durrës dhe përbëhet nga nxënësit: Irjan Kulici dhe Enid Reka.

Ekipi fitues i vendit të tretë është nga shkolla 9-vjeçare “Imelda Lambertini” në Elbasan dhe përbëhet nga nxënësit: Erlindjon Kulla dhe Kevin Eminaj.

Një falënderim i veçantë i drejtohet mësueseve Mitiana Trungu, Sidorela Capa dhe Jugerta Kabashi, të cilat organizuan dhe përgatitën skuadrat fituese.

Fituesit e 3 vendeve të para të konkursit do të vlerësohen me çmimet e mundësuara nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, si më poshtë:

Vendi i parë – 40,000 lekë dhe pjesëmarrje online në finalen evropiane të kuizit;
Vendi i dytë – 30,000 lekë;
Vendi i tretë – 20,000 lekë.
Gjithashtu, në shenjë vlerësimi për impenjimin dhe vëmendjen dedikuar aktivitetit, mësuesve përgjegjës të skuadrave fituese do t’u shpërndahen dhurata simbolike nga Banka e Shqipërisë. Falënderojmë të gjithë nxënësit dhe mësuesit e angazhuar në realizimin e këtij konkursi!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb