Shqipëria është vendi organizator i Samitit të 3-të Digjital të Ballkanit Perëndimor, ku përgjatë tri ditëve 26, 27 dhe 28 tetor, përfaqësues të lartë nga qeveritë e Rajonit, Bashkimi Europian si dhe përfaqësues nga agjencitë e sektorit publik dhe sipërmarrës privatë, do të shkëmbejnë eksperienca lidhur me konektivitetin dixhital përmes rrjeteve të besueshme, dixhitalizimin e proceseve të biznesit, dixhitalizimin e shërbimeve publike si dhe zhvillimin e aftësive dixhitale.

Samiti zhvillohet në kuadrin e Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që për shkak të pandemisë Covid-19, edicioni këtij viti u organizua online. Samiti i paraprin Ministerialit, i cili do të mbahet në Tiranë në datën 2 nëntor, me përfaqësues të Nivelit të Lartë nga vendet e BP.

Organizmi nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e këtij Samiti, si dhe angazhimi i treguar nga Ministrja Belinda Balluku, mori përgëzimet e panelistëve, që ishin pjesë e këtij takimi. “Falënderoj personalisht dhe përzemërsisht Ministren Belinda Balluku për organizmin e këtij Samiti dhe për lidershipin e saj për avancimin e axhendës digjitale në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Roberto Viola përfaqësues nga Komisioni Europian, Drejtor i Përgjithshëm i DG Connect.

Në fjalën e saj, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku falënderoi pjesëmarrësit e këtij Samiti dhe theksoi se koha në të cilën po kalojmë tregoi qartë se sa i rëndësishëm është konektiviteti. Ajo e cilësoi këtë takim si tepër të rëndësishëm për të shkëmbyer përvojat dhe ndarë mendime sa i takon hartimit të iniciativa të përbashkëta.

“Personalisht besoj që ne duhet të shkojmë përtej zgjidhjeve të mundshme lokale dhe kombëtare, në mënyrë që së bashku të paraqesim më shumë mundësi dhe ndihmë për popujt tanë, si në mënyrë bilaterale ashtu edhe në mënyrë rajonale, duke përdorur mundësitë që ofron transformimi digjital”, theksoi Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndau me të pranishmit nismat që ka ndërmarrë Qeveria Shqiptare në rrugën e saj të transformimit dixhital.

“Zhvillimi i infrastrukturës së informacionit dhe teknologjisë është një nga prioritetet e Qeverisë së Shqipërisë dhe pjesë e objektivave strategjikë kombëtar, për zhvillim dhe integrim. Ne kemi miratuar një dokument të ri strategjik për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Infrastrukturës Digjitale, me vizionin për të ndërtuar infrastrukturë digjitale me shpejtësi të lartë dhe shumë të lartë, drejt një shoqërie gigabit. Gjithashtu, u miratua dokumenti i politikës spektrale, me objektiva për të promovuar teknologjitë e reja, për të zhvilluar gjeneratën e ardhshme të rrjeteve, kërkimit dhe inovacionit. Në proces janë gjithashtu, edhe përgatitja e një strategjie të re për biznesin dhe inovacionin dhe strategjia për specializimin inteligjent”.

Ministrja Balluku tha se vendet pjesëmarrëse janë të ndërgjegjshëm për punën e madhe që kanë përpara në këtë drejtim, por shprehu besimin se duke punuar më ngushtë me njëri-tjetrin, do të arrijnë më shumë progres.

67 spikera dhe moderatorë do të mbajnë fjalën e tyre gjatë punimeve të Samitit Digjital, teksa për ta ndjekur atë janë regjistruar më shumë se 600 persona dhe vende të ndryshme të botës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: