TIRANË

Është shtyrë seanca gjyqsore, e parashikuar për ditën e sotme ndaj ndaj Ardian Çapjas, i akuzuar nga SPAK për organizim të vrasjes së Nezir e Gentian Beqirit babë e bir, në Elbasan. Shkak për shtyrjen e seancës është bërë mungesa e avokatit mbrojtës

Gjatë procesit gjyqësor, ishte parashikuar të merrej dëshmia e 5 personave, e cila konsiderohet e rëndësishme për vijimin e gjykimit.

Sakaq, gazetarja Klodiana Lala tha për ‘BalkanWeb’, se gjyqtarja Etleva Deda ka refuzuar praninë e mediave në seancë, duke mbyllur kështu dyert ndaj tyre.

NGJARJA

Në 15 gusht të vitit 2012, 40-vjeçari Gentjan Beqiri është ekzekutuar në banesën e tij, në lagjen “Sporti i Vjetër” të Elbasanit. Dëshmitar i ngjarjes së rëndë ka qenë babai i tij, Nezir Beqiri, i cili ndërroi jetë pak minuta pas të birit. Fillimisht u dyshua se Nezir Beqiri kishte pësuar infarkt pas ngjarjes, por ekspertiza mjeko-ligjore përcaktoi se i moshuari ka humbur jetën si pasojë e plagëve të shumta që ka marrë në trup. Ekzekutorët e kanë goditur disa herë në mushkëri, duke i shkaktuar hemorragji e pas disa minutash në urgjencën e qytetit, ai gjeti edhe vdekjen.

Dyshohet se vrasjet janë kryer për motive hakmarrjeje, pasi në 2005-n Gentjan Beqiri është akuzuar nga organet e drejtësisë për vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, vrasje e cila ka ndodhur në një prej bareve të Elbasanit, pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Prej disa kohësh, 40-vjeçari Gentjan Beqiri ishte në “Arrest shtëpie” për këtë vrasje. Ai vuante nga një dëmtim në shtyllën kurrizore, për shkak të një tentative arratisjeje nga qelitë e paraburgimit. Vrasjet janë kryer në gjakftohtësi dhe dy efektivët rojë nuk e kanë kuptuar që ekzekutorët kanë kryer krimin. Ata e kanë marrë njoftimin vetëm pasi ka ardhur ambulanca.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb