KORÇË- Deputetët e Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilluan një takim me përfaqësues të pushtetit vendor dhe grupet e interesit në Bashkinë e Korçës për problematikat e bujqësisë.

Ky aktivitet u organizua në bashkëpunim me OSBE-në, teksa i pranishëm ishte edhe ambasadori z. Florian Rauning.
Në fjalën e tij, Ambasadori i prezencës së OSBE-së në Tiranë, z. Florian Rauning theksoi se zyrat e deputetëve kanë për qëllim që të zgjedhurit të jenë më pranë qytetarëve dhe për rrjedhojë garantoi mbështetjen për Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, si një ndër komisionet më të rëndësishme në Kuvend.

“Gëzohem që shoh se Komisioni po i përdor këto zyra për të diskutuar me qytetarët e Korçës mbi një çështje me rëndësi të madhe, siç është zhvillimi bujqësor i qëndrueshëm. Ky zhvillim është thelbësor jo vetëm për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, por edhe për stabilitetin afatgjatë të saj. Sektori bujqësor përbën thuajse gjysmën e vendeve të punës, por vetëm një të pestën e prodhimit të brendshëm bruto. Ky takim bashkon në të njëjtën sallë palët kryesore të interesuara. Kjo është një mundësi që komisioni, përfaqësuesit e ministrive, agjencitë shtetërore, grupet e interesit dhe fermerët të diskutojnë së bashku mbi çështje kyçe si mungesa e një tregu bujqësor, subvencioneve qeveritare, diversitetit bujqësor, si edhe më e rëndësishmja, për të formuluar zgjidhje të problemeve, – tha z. Rauning. – As ligjvënësit, as qeveria nuk mund t’i trajtojnë veçmas këto çështje kaq të ndërlikuara. Ato kanë nevojë për kontributin e çmuar të ekspertëve të fushës, akademikëve, grupeve të interesit dhe publikut të gjerë për të përgatitur politika sa më të mira e për të marrë vendime të mençura në dobi të shqiptarëve. Mirëpresim qasjen pozitive të orientuar drejt rezultateve që komisioni ka si synim të ndërmarrë përsa i përket çështjeve të ndjeshme që do të adresojmë sot”, – theksoi Ambasadori i OSBE-së.

Më herët, deputetët e komisionit së bashku me deputetët e Qarkut të Korçës vizituan edhe pikën e grumbullimit dhe përpunimit të mbetjeve që po ndërtohet në Bashkinë e Maliqit. Deputetët u njohën nga afër me problematikat që kanë hasur si edhe me përfitimet që do të sjellë kjo pikë e grumbullimi dhe përpunimi të mbetjeve, që do të përpunojë mbetjet e gjashtë bashkive që janë në Qarkun e Korçës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb