TIRANË – OSBE-ja i ka bërë thirrje politikanëve shqiptarëve të frenojnë gjuhën dhe veprimet ndezëse.

Pasi kanë ndjekur zhvillimet e sotme në Kuvend, në një deklaratë për shtyp, thuhet: “Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka ndjekur me zhgënjim përkeqësimin e debatit politik gjatë ditëve të fundit. U bëjmë thirrje të gjithë politikanëve të frenojnë gjuhën dhe veprimet ndezëse dhe të lejojnë institucionet e vendit të funksionojnë në interesin më të mirë të qytetarëve të Shqipërisë.”

Sot në Kuvendin e Shqipërisë u zhvillua një “betejë” retorikash të ashpra, pasi opozita hyri duke kërkuar dorëheqjen e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Metës, për shkak të akuzave të lëshuara prej deputetit Tom Doshi ndaj tij.

Opozita u përfaqësua thuajse kryekëput nga ish-Kryetari, Sali Berisha, që shkëmbeu replika të thekshme me Metën.

Meta deklaroi se nuk do ta jepte dorëheqjen për hir të Berishës, pasi sipas tij, e kishte dhënë njëherë për të kur ishin në koalicion pas përfshirjes së djalit të tij, Shkëlzenit, në një video-përgjim të Dritan Priftit.

Meta sot i ofroi opozitës mundësinë të votonte mocionin që kishte bërë ndaj tij, por kurrsesi jo, nuk pranoi të jepte dorëheqjen, siç u shpreh ai, për hir të disa personave të inkriminuar që donin të destabilizonin vendin.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: