TIRANE- Nxënës të shkollave të mesme dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri përuruan dje, më 24 Maj 2016, një ekspozitë rreth dhunës në familje. Ekspozita, e cila përbëhej prej pikturave, fotografive, instilacioneve, poezive dhe shkrimeve, është fryti i punës krijuese të nxënësve të Gjimnazit “Petro Nini Luarasi” në Tiranë, nën sloganin #MosHesht, në kuadrin e fushatave të vazhdueshme të Prezencës kundër dhunës në familje.

“Angazhimi qytetar ka të bëjë jo vetëm me identifikimin e çështjeve që ngjallin shqetësim publik, por mbi të gjitha ka të bëjë me qytetarët që punojnë për t’i dhënë zgjidhje këtyre çështjeve në një mënyrë konstruktive. Ka të bëjë me veprime praktike”, tha në hapje të ekspozitës Zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton. “Ju vepruat. Ju bëtë tuajin sloganin e fushatës #MosHesht. Ju reaguat përmes pikturave, fotografive dhe poezive tuaja duke ndarë kështu një mesazh të qartë me bashkënxënësit tuaj, me ne dhe me mbarë shoqërinë. Ky është një shembull i shkëlqyer i atij angazhimit qytetar, i cili i nevojitet një demokracie që kjo të lulëzojë”, u tha Wilton nxënësve pjesëmarrës në përurim të ekspozitës.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, iu drejtua studentëve duke thënë se përmes ekspozitës po japin kontributin e tyre për ndërgjegjësimin e qytetarëve rreth problemeve, me të cilat ballafaqohen viktimat e dhunës në familje. Ai tha se besimi në Policinë e Shtetit është në element thelbësor në zgjidhjen tërësore të problemit.

Katër vjet më parë, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri zhvilloi fushatën e saj të parë kundër dhunës në familje në Tiranë, për ta shtrirë atë më pas në qytete të tjera si Korça, Elbasani dhe Gjirokastra. Qasja shumë-agjencish e përzgjedhur për organizimin e këtyre fushatave sjell përfshirjen në to të shumë aktorëve institucionalë vendorë, sikurse Policia e Shtetit, shoqëria civile, qytetarët e thjeshtë dhe rinia, të cilët mblidhen bashkë për të diskutuar rreth fenomenit të dhunës së familje si dhe për t’iu kundërvënë atij, duke pasur parasysh se kjo dukuri përbën 60% të krimeve të njohura të regjistruara kundër personit në Shqipëri. Në bazë të statistikave, mesatarisht 15 gra vdesin në vit për shkak të dhunës në familje. Është vërejtur se numri i rasteve të dhunës në familje të raportuara pranë Policisë së Shtetit ka shënuar rritje qysh prej fushatës së parë të zhvilluar kundër këtij fenomeni.

Prezenca ka punuar fuqishëm për forcimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit përmes trajnimeve të shumta, gjatë të cilave punonjësit e policisë janë pajisur me instrumentet dhe njohuritë e nevojshme për ta trajtuar dhunën në familje me efektivitet të shtuar.

“Përvoja e këtyre fushatave tregon se nëse punojmë së bashku, duke i ndërthurur veprimet e aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë me mbështetje ndërkombëtare, si dhe mbi të gjitha me angazhimin e drejtpërdrejtë të qytetarëve, do të sjellim një ndryshim të madh”, tha Wilton.
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: