Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt shprehet qartë se nuk ka kohë të mjaftueshme për aplikimin e teknologjisë në zgjedhjet e 18 qershorit. Për “Vizion Plus”, diplomati i lartë sqaron se votimi dhe numërimi elektronik ka përparësitë e tij, por edhe mangësi në aplikim.

Z. ambasador, a mund të bëhet aplikimi i teknologjisë në zgjedhjet e 18 qershorit? A ka kohë të mjaftueshme?
Çdo ndryshim madhor i procedurave zgjedhore të zhvilluara prej një kohe të gjatë në një kontekst të caktuar zgjedhor kërkon kohë për t’u bërë e për t’u zbatuar si duhet. Si shumë elemente të tjera të sistemit zgjedhor, përdorimi i votimit dhe numërimit elektronik dihet se ka avantazhet dhe disavantazhet e tij. Sipas studimeve të OSBE/ODIHR-it, numërimi elektronik mund të rrisë pjesëmarrjen e zgjedhësve në votim, të ulë kostot e administrimit zgjedhor në planin afatgjatë, të reduktojë gabimet njerëzore (përfshirë votat e pavlefshme), të përmirësojë saktësinë e numërimit, si dhe të rrisë shpejtësinë e nxjerrjes së rezultateve përfundimtare. Megjithatë, nga ana tjetër, votimi dhe numërimi elektronik mund të paraqesin edhe disa sfida.

Votimi elektronik është një proces shumë kompleks, që kërkon një planifikim të imtësishëm dhe në kohën e duhur të mënyrës se si do të blihen pajisjet (ky duhet të jetë një proces i komplikuar prokurimi); mënyrës se si do të vlerësohet, certifikohet dhe garantohet siguria e sistemit. Nevojiten fushata intensive për edukimin e zgjedhësve. Duhet të trajnohen edhe zyrtarët zgjedhorë. Për të mos përmendur pastaj shqetësimin kryesor, sidomos nga këndvështrimi i zgjedhësve, rreth transparencës së procesit: çfarë ndodh me votën time brenda atyre pajisjeve? Ky ishte edhe shqetësimi kryesor i Gjykatës Kushtetuese gjermane, kur ndaloi votimin elektronik në Gjermani. Në shtete të tjera pjesëmarrëse të OSBE-së, votimi elektronik lejohet dhe ndodh. Ajo çka është vendimtare: përdorimi i votimit elektronik jo domosdoshmërish krijon besim. Përkundrazi, ai kërkon besim paraprak në administrimin e zgjedhjeve nga të gjithë aktorët e përfshirë, në mënyrë që të zbatohet me sukses. Pa u adresuar plotësisht të gjitha sfidat, ato munden madje ta dobësojnë besimin e publikut te rezultatet e zgjedhjeve të dala nga një proces elektronik. Para zgjedhjeve të 2013-ës, opozita e atëhershme, pra qeveria e tanishme, kërkoi futjen e votimit elektronik, po ashtu pak kohë para zgjedhjeve. OSBE-ja në atë kohë, këshilloi se duhej më shumë kohë për përgatitje. Tani jemi në të njëjtën situatë dhe që prej tetorit 2016 kemi këshilluar – në të njëjtën linjë me këshillat tona të mëhershme – se votimi elektronik kërkon më shumë kohë se koha e mbetur.

Cili është mendimi juaj për sa i përket sanksionimit në Kodin Zgjedhor të listave të hapura të kandidatëve për deputetë?
Në botë dhe mes shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së ka një gamë të gjerë sistemesh të ndryshme zgjedhore. Kështu që, zgjedhja e një sistemi zgjedhor nga ana e vendeve duhet respektuar. Për sa kohë respektohen parimet themelore të demokracisë, nuk ka sistem zgjedhor të mirë apo të keq në vetvete. Ky është një vendim që i takon vendit. Për këtë arsye, OSBE-ja dhe ODIHR-i nuk rekomandojnë ndonjë listë specifike sistemesh prej nga vendet mund të zgjedhin dhe sigurisht që nuk rekomandojnë as ndonjë sistem specifik për vende specifike. Është e drejta ekskluzive e autoriteteve shqiptare që të vendosin se cilin model të zbatojnë dhe se çfarë është më mirë për vendin. Megjithatë, siç është theksuar edhe nga Këshilli i Evropës dhe nga ne, elementet themelore të ligjit zgjedhor, sidomos sistemi zgjedhor, përbërja e komisioneve zgjedhore dhe ndarja e zonave zgjedhore nuk duhet të ndryshohen më pak se një vit përpara zgjedhjeve. Ky është një rekomandim ndërkombëtar. Çdo ndryshim i elementeve të sistemit zgjedhor duhet të bëhet kohë më përpara dhe të jetë pjesë e diskutimi gjithëpërfshirës dhe transparent.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: