Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha për Radion Evropa e Lirë se Oda Ekonomike e Serbisë duhet të bëjë presion te Qeveria serbe që të largojë pengesat administrative me të cilat përballen afaristët kosovarë gjatë eksportit të mallrave në Serbi.

Këto komente Rafuna i bëri në Shkup, ku po merr pjesë në takimin e Forumit Investues të Dhomave të Ballkanit Perëndimor. Ky takim ka për temë “bashkëpunimin mes ekonomive të Ballkanit Perëndimor”.

“Ideja është që Oda Ekonomike e Serbisë të bëjë presion te Qeveria serbe që t’i eliminojë barrierat që i kanë afaristët kosovarë. Në të kundërtën, ata [gjatë transportit të mallrave në Kosovë] do ballafaqohen me pengesat që i kemi ne”, tha ai.

Që nga shpallja e pavarësisë se Kosovës në vitin 2008, afaristët kosovarë janë ballafaquar me barriera të ndryshme në aspektin e shkëmbimit të mallrave me Serbinë, pasi Beogradi zyrtar nuk e njeh Kosovën dhe rrjedhimisht as dokumentet që lëshohen nga institucionet e saj.

Një nga pengesat me të cilat përballen prodhuesit në Kosovë është mosnjohja e certifikatës së origjinës së produkteve ku shkruan “Made in Kosova”. Me këtë mbishkrim, prodhuesit e Kosovës nuk kanë mundësi të kalojnë as transit nëpër territorin e Serbisë.

Kurse tregu i Kosovës, tha Rafuna, është i mbushur me produkte nga shteti i Serbisë.

“Kosova nuk e ndalon që të hyjë në Kosovë asnjë produkt që shkruan ‘Made in Serbia’. Pra, duhet të bisedohet ose ju t’i bëni gjërat si ne, ose ne si ju, pra kërkesa e afaristëve kosovarë është që mos kenë pengesa”, tha Rafuna dhe shtoi se prodhuesit kosovarë janë të interesuar që të gjejnë një treg rajonal, që më pas të mund të kalojnë në atë evropian.

“Është me rëndësi të eliminohen pengesat administrative dhe të shfrytëzohet kostoja e ulët për transportin e mallrave, për faktin se Prishtina është vetëm tri orë larg Beogradit dhe vetëm një orë larg Shkupit”, theksoi Rafuna.

Gjatë takimit në Shkup, Rafuna ka vënë theksin edhe në rëndësinë e ndërtimit të autostradës nga pika kufitare e Bllacës deri në Shkup, jo vetëm për lëvizjen e qytetarëve, por për uljen e kostos së shkëmbimit të mallrave.

Ndryshe, gjatë vitit 2022, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, Kosova ka importuar produkte nga Serbia në vlerë prej 371.6 milionë eurosh, ndërsa ka eksportuar në Serbi 60.7 milionë euro produkte./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: