Nisma e grupit parlamentar të PS-së për ta shkarkuar  e ka shtyrë Presidentin Ilir Meta  në qëndrime që po marrin  tiparet e një betejë  të tipit dy duar për një kokë. Meta po bën çmos të mos e lerë fatin në duart e “ ç’të jetë shkruar”, të mos e dorëzojë kokën  në sini të  argjendtë, siç thotë një shprehje e njohur.  Për këtë ai ka qenë dhe është gjithë sy e veshë  të shfrytëzojë çdo rast, çdo veprim të gjykuar me cen  procedural të KED-së apo Kuvendit, çdo boshllëk ligjor sado i vogël qoftë, çdo të pathënë e të pashkruar në kushtetutë e në  ligje- të gjithë këto  për t’i përdorur si bazament ligjor ku të mbështesë qëndrimet, kundërshtimet, vendimet e veta.

Thënë ndryshe: betejën e tij për të pasur njerëzit që i mendon si mbështetës të tij  në përbërjen e gjykatës që do të vulosë  fatin e tij nëse Parlamenti e shkarkon. E gjithë kjo legjitimohet qoftë si zakon i disa Presidentëve  në vendet  demokratike për të përzgjedhur, në ruajtje të sensit të masës, juristë të krahut të  tyre  apo të preferuarit e tyre në Gjykatat e  nivelit të lartë,  qoftë si një betejë në vetëmbrojtje. Meta, sigurisht, e paraqet  këtë që po bën si një betejë  në mbrojtje të kushtetutës. Dhe s’mund ta paraqesë ndryshe.

Të gjitha palët në  konflikt këtë thonë: që po zbatojnë e mbrojnë kushtetutën. Secila palë sjell çdo ditë  për publikun interpretimet e veta të kushtetutës dhe ligjit. Sa kohë që konflikti është pikërisht për institucionin që  ka tagrin ta ndajë  këtë gjyq, pra të shpallë se kush po e respekton e kush po e shkel kushtetutën, ne prezumojmë se të gjithë  po e respektojnë kushtetutën  sipas pikëpamjes së tyre.

Dhe  ndërsa nuk mund të  gjykojmë  si publicistë se cila palë  ka të drejtë, ne mund të flasim për  efektet  e këtij konflikti dhe perspektivën e zgjidhjes së tij.

Ka qenë e pritshme të ketë përplasje  në procesin e ngritjes së organeve të  drejtësisë së re. Për vetë ndjeshmërinë  që kanë aktorët dhe faktorët politikë e institucionalë në vend ndaj këtyre organeve. Për ketë arsye KED, KLP,  KLGJ dhe organet e vetingut duhet të jetë shumë më të kujdesshëm dhe maksimalisht preçizë në zbatimin e kushtetutës  dhe ligjeve për të mos lenë asnjë të çarë që mund të përdoret për  të vënë në dyshim produktin e tyre. Është e pakuptueshme, për shembull, që  zonja Marsida Xhaferllari, është vlerësuar me zero pikë nga disa  anëtarë të KED-së në  zërin e integritetit  dhe figurës.

Në tërësi  është venë re një paragjykim i tipit politik për ketë zonjë,  absurd sigurisht, për shkak të lidhjes së saj me ish deputetin e PD-së, zotin Alibeaj. Duket se shkujdesja, që shumëkush e mendon si lojë të paramenduar, ka përfshirë edhe datat e dorëzimit të listave ku është kapur fort Presidenti. Djalli fshihet në detaje. Lojërat me data, me orare dhe me ngatërresa si në  telefonin e prishur, në funksion të një  intrige,  janë të njohura edhe në letërsi. Urojmë të mos jetë ky i korrespondencës së KED-së me Presidentin rasti.  Sidoqoftë, në princip, është më mirë që institucionet të përplasen për zbatimin e ligjit se sa të tolerojnë shkelje dhe shkujdesje  në emër të kompromiseve e pazareve  si ato që kemi njohur ndër vite. Në këtë kuptim efekte e përplasjes  në fjalë janë edhe  pozitive sepse rrisin përgjegjshmërinë e zyrtarëve në kryerjen e detyrës.

Përplasja ka ndërkaq edhe efektet negative. Ja tre prej tyre:

E para, në perceptimin  e publikut që nuk futet në teknikalitetet e ligjit dhe në imtësitë procedurale, përplasja  duket sikur fshin ato dispozita kushtetuese  që janë konsideruar si  zgjidhje të reja për çlirimin e organeve të reja të drejtësisë nga mbajtja peng dhe pazaret e  vjetra, siç janë: vlerësimi dhe listimi i kandidatëve  në KED, detyrimi i organeve të emërtesës për të votuar kandidatët e listës në një afat tridhjetë ditor, emërimi automatik i të parit në listës nëse organi i emërtesës, në rastin konkret, Kuvendi, Presidenti dhe Gjykata e Lartë nuk arrijnë të zgjedhin. Të gjitha këto janë kthyer mbrapsht  në rrafshin e perceptimit publik  me interpretimin që i ka berë Meta afatit dhe me emërimin e një zonje që është renditur e katërta (më lart nënvizova  se është paragjykuar politikisht, por ligji është ligj), kur e katra nuk mund të emërohet pa  hyrë në  treshe.

Një efekt tjetër  negativ i përplasjes  është  një lloj dallge  që është ngritur e vijon të ngrihet kundër vetë reformës në drejtësi.  Duket sikur shumëkush mezi ka pritur një ngjarje të tillë për të shpërthyer  e venë në kryq vetë reformën. Gjithkush ka patur e ka të drejtë të jetë kundër reformës në drejtësi,  pa qenë nevoja e përplasjes së Presidentit me KED dhe shumicën kuvendore. Ajo  reformë është votuar me konsensus  dhe po zbatohet. Së shpejti do të kemi Prokurorin e Përgjithshëm të zgjedhur sipas Kushtetutës. Do te kemi SPAK që bashkë me Vetingun  janë dy shtyllat e reformës. Do të kemi BKH-në  dhe Gjykatën Speciale. Vetingu vazhdon pa kthim prapa gjithashtu. Edhe konflikti i fundit ka ndodhur pikërisht se po zbatohet reforma. Zonja Arta Vorpsi është zgjedhur si e renditur e para në kushtet e ezaurimit të afatit tridhjetë ditor nga Presidenti, sipas interpretimit që i bën Kuvendi.

Zonja Marsida Xheferllari  është dekretuar sipas interpretimit  të kushtetutës nga Presidenti. Njëra do të jetë, ligji do të vendosë cila. Po reforma as dështoi, as u lëkund që ndodhi kjo gjë. Është naivitet të mendohet. Reforma në Drejtësi është e vetmja që shkon përpara. Me vështirësi, me mundim, me pengesa lloj-lloj. Por nuk ndalet.

Së treti, përplasje të tilla e shtyjnë edhe më tej në kohë ngritjen  e Gjykatës Kushtetuese. Natyrisht , urgjenca për ngritjen e saj nuk përligj  asnjë  shkelje ligjore. Më mirë të vonohet se sa të ndërtohet  shkel e shko.  Kur organet kompetente të shprehen për konfliktin do të dalë edhe se kush e mban përgjegjësinë për këtë shtyrje të re.

Përtej efekteve,  publiku  është më interesuar për zgjidhjen  e konfliktit. Zgjidhjet janë dy: e para është  rruga ligjore dhe këtu futet qoftë padia e Presidentit kundër kryetarit të KED-së, qoftë marrja e një opinioni nga një institucion autoritar,  siç është Komisioni i Venecias. E dyta është rruga e betejës së forcës në kuptimin politik të fjalës.

Presidenti ka bërë mirë që ka çuar në Prokurori padinë e tij kundër  kryetarit të KED-së. Nëse  drejtësia provon se Dvorani ka  shkelur ligjin, e drejta i kalon Metës. Nuk e di sa e ezauron  çeshtjen e kushtetutshmërisë së vendimeve padia e tij. Kam përshtypjen se jo. Ndaj Komisioni i  Venecias është aktualisht i vetmi institucion  në BE që mund të japë një opinion zyrtar për  këtë çështje. Ky komision na është gjendur në momente kyçe të ndërtimit të legjislacionit kushtetues dhe mosdakordësive në zbatimin e tij. Opinionet e tij kanë qenë gjithnjë udhërrëfyese dhe në të mirë të shtetit të së drejtës në vendin tonë. Referencën e vetme  shteruese për zgjidhjen e konfliktit në rrugë ligjore mund ta japë vetëm ky  Komision. Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese vendase, s’ka tjetër.

Rruga e zgjidhjes me betejë force është pa perspektivë për Metën, sipas  mendimit tim. Kjo nuk është një betejë nga ato që bëjnë palët kundërshtare në Kuvend. Është në thelb një betejë ku ai që e ka dhënë gjen përpara institucione të ngritura, të ftohta, prapa të cilëve qëndrojnë partnerët  amerikanë dhe  europianë. Është shumë domethënëse  që për zgjidhjen e  ngërçit Presidentit të Republikës i telefonon nga Uashingtoni i ngarkuari  i sekretarit te shtetit për Ballkanin Perëndimor, i mirënjohuri Matthew Palmer. Falë  impenjimit amerikan  dhe evropian Reforma  në Drejtësi  është një   makineri tashmë në lëvizje, ingranazhet dhe dhëmbëzat e së cilës nuk mund t’i ndalin më as 140 deputetët që  e votuan në verën e vitit 2016.

Sido që të shkojë puna për dy zonjat Vorpsi dhe Xhaferllari apo për kandidatë të tjerë që mund të ndajnë  palët, zgjidhjet  nistore do të kthehen përsëri të KED,  të KLP, te KLGJ. Në  betejën  e tij Meta ka kundër  episode, ngjarje, rrethana dhe  zhvillime që e kanë vënë përballë partnerëve perëndimorë, siç është fjala vjen opinioni  i fundit i  Komisionit të Venecias që  pohon se Presidenti nuk kishte një bazë ligjore për shtyrjen e zgjedhjeve  vendore të 30 qershorit. Në këto  kushte dhe duke pasur parasysh  faktin  se as PD, as Basha, as  Berisha nuk kanë ndërmend të përplasen me shtetet perëndimore për konfliktin President-KED, Meta e ka të pamundur të fitojë betejën pa marrë një opinion të favorshëm nga Komisioni i   Venecias./Gazeta Liberale 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb