TIRANE- Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike arkëtoi 4. 9 miliardë lekë vetëm në muajin maj. Të ardhurat nga faturat e energjisë janë rritur me 34% krahasuar me një vit më parë, ndërsa humbjet janë ulur me 5.6 % gjatë muajit maj krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shifrat janë bërë të ditura nga burime zyrtare pranë OSHEE-së sipas të cilës mësohet se muaji maj 2015 konfirmon ecurinë pozitive të rritjes së arkëtimeve dhe uljes së humbjeve, duke dëshmuar faktin se sektori energjetik tashmë ka hyrë në rrugën e duhur drejt rimëkëmbjes.

Arkëtimet në muajin maj arritën në 4.9 miliardë lekë, ose 34% më shumë se maji i vitit 2014 (pra, afro 10 milionë dollarë më tepër). Ndërsa si 5-mujor, në total janë realizuar 34 miliardë lekë arkëtime, ose 53% më tepër se periudha janar-maj 2014, (ose 130 milionë dollarë më shumë). Në lidhje me humbjet, në muajin maj 2015, niveli i tyre zbriti në 31.2%, nga 36.8% që ishin në majin e vitit 2014 ose, 5.6 % më pak humbje.

Ndërkohë që kontrollet dhe ndërprerjet gjatë muajit maj kanë vijuar normalisht, me 58,336 kontrolle dhe 36,681 ndërprerje. Ndërkohë që OSHEE ka filluar tanimë investimet në terren për të konsoliduar edhe më tej uljen e humbjeve, por sidomos për të përmirësuar ndjeshëm cilësinë e furnizimit me energji elektrike për konsumatorët.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb