TIRANË- Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike njofton se për shkak të rritjes së menjëhershme të konsumit të energjisë, si rrjedhojë e rritjes së temperaturave, gjatë ditëve të fundit janë konstatuar një sërë defektesh në rrjetin e shpërndarjes në kryeqytet. Më problematike, situata është shfaqur në rrethinat e qytetit dhe fshatra ku rrjeti është edhe më i amortizuar.

Rreth orës 19:00 të ditës së djeshme, një defekt në fiderin 18 të n/stacionit Kashar ka lënë pa energji disa pallate pranë Kombinatit të Mishit Yzberisht dhe në Unazën e re. Brigada e avarive ndodhet në terren duke punuar me intensitet për zbulimin dhe riparimin e defektit në një kohë sa më të shpejtë.

Këputja e përcjellësve ka shkaktuar mungesë për disa orë të energjisë elektrike edhe në zonën e Freskut në Tiranë. OSHEE ka mundur të riparojë dëmin e shkaktuar duke kthyer energjinë elektrike në këtë zonë.

OSHEE garanton abonentët se nuk ka ndërprerje të planifikuara të energjisë, me përjashtim të rasteve kur Operatori i Sistemit të Transmetimit kryen remonte në n/stacione. Në çdo rast të tillë, OSHEE bën publike oraret e ndërprerjeve dhe kohëzgjatjen e tyre.

OSHEE ju bën me dije se në faqen e saj zyrtare në internet www.oshee.al gjeni të publikuar numrat e telefonit të dispeçerive në gjithë vendin, ku qytetarët mund të japin dhe të marrin informacion për defektet apo ndërprerjet e energjisë në zonat e tyre të banimit. Për Tiranën,  OSHEE vë në dispozicion 3 numra telefoni: 04235529; 042355270; 042355888.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: