Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit, kanë hartuar planin e gatishmërisë për të garantuar furnizim të pandërprerë me energji elektrike në të gjithë territorin e vendit gjatë festës së fundvitit. Njëkohësisht janë marrë masat e nevojshme për të ndërhyrë në çdo moment, për të riparuar çdo defekt të mund të shfaqet.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka mbledhur në një takim pune, drejtues qendrorë dhe rajonalë të OSHEE dhe OST. Në këtë takim është prezantuar plani i masave të marra, ndërkohë që ministrja ka kërkuar që të gjitha drejtoritë rajonale të kalojnë në gjendje gatishmërie.

“Ne kërkojmë angazhimin tuaj maksimal për të mos pasur ndërprerje të energjisë elektrike në asnjë pjesë të territorit. Patjetër të 11 drejtoritë rajonale duhet të jenë në gjendje gatishmërie të plotë dhe sigurisht në momentet kur do kemi avari apo kur do ketë shkëputje të energjisë, e rëndësishme është kthimi në proceset e normalizimit në një kohë sa më të shkurtër për të mos krijuar asnjë problem tek qytetarët”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se duhet pasur vëmendje e posaçme te institucionet e rëndësishme, si spitalet, apo strukturat e tjera me rëndësi të veçantë.

“Ju keni detyrën për t’i akomoduar të gjithë kërkesat e qytetarëve pa pasur humbje, apo defekte, të cilat mund të prishin atmosferën e këtyre ditëve festive, apo mund të krijojë dhe problematika të tjera pasi jeta vazhdon. Spitalet duhet të jenë absolutisht në qendër të vëmendjes tonë dhe gjithçka tjetër e cila karakterizohet dhe quhet strukturë kritike dhe strategjike”, nënvizoi Balluku.

Administratori i OSHEE, Adrian Çela bëri të ditur se afro 1700 punonjës të kësaj kompanie janë në territor dhe që prej festës së Krishtlindjeve kanë kaluar në gjendje gatishmërie.

“Është ngritur shtabi qendror në drejtorinë qendrore dhe në çdo drejtori rajonale janë ngritur shtabet, të cilat raportojnë në mënyrë periodike. Prej mëse 10 ditësh raportohet çdo një orë për situatën teknike apo defekte të mundshme. Janë ngritur “call center” dhe po ashtu dispecerite, në shërbim të qytetarëve, të cilat në këtë rast funksionojnë 24 orë. Kemi ngritur grupin e punës ku secili grup ka fiderat dhe kabinat e veta”, sqaroi Çela.

Drejtor i Departamentit të Rrjetit të Transmetimit të OST, Blendian Dalipi, theksoi se nga ana e OST ka përfunduar me sukses remonti në linjat 110 kilovolt, ndërsa është hartuar një plan bashkëpunimi së bashku me OSHEE, me qëllim reagimin e shpejtë nëse do të jetë e nevojshme për të ndërhyrë në rast evidentimi të problematikave.

“Në të gjitha rajonet janë hartuar planet e gatishmërisë, ku nëpërmjet grupeve të punës do të ndërhyhet në mënyrë shumë të shpejtë dhe sa më efektive për të rikthyer furnizimin me energji në normalitet tek konsumatorët. Janë mobilizuar të gjithë strukturat. Kemi përfunduar me sukses të gjithë remontet në rrjetin tonë kryesisht rrjetet 110 kilovolt, aty ku janë dhe më të ndjeshme përsa i përket furnizimit me energji elektrike të përdoruesve”, u shpreh Dalipi.

Në mbyllje të takimit, ministrja Belinda Balluku, si dhe drejtuesit e dy operatorëve të energjisë, përcollën urimet e tyre për festën e fundit, për punonjësit e këtyre agjencive, por edhe të gjithë shqiptarët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb