TIRANE- Pas analizave të treguesve të 6-mujorit dhe bazuar mbi planin e punës, me urdhër të administratorit Adrian Çela, OSHEE ka zhvendosur një pjesë të punonjësve në zonën e bregdetit, për t’i dhënë mbëshetje agjencive që menaxhojnë rajonet nga Velipoja në Sarandë.

Aksionet janë përforcuar këto ditë, duke nisur me rajonin e Shkodrës, dhe konkretisht duke parë nga afër situatën në zonat Velipojë dhe Shëngjin, nga ku Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka kryer verifikime mbi ligjshmërinë e furnizimit me energji elektrike.

Shtabet kanë zbritur edhe në rajonin e Durrësit, nga ku Albana Ferraj, drejtore e Divizionit Tregtar pranë OSHEE-së, pa nga afër kordinimin dhe ndarjen e detyrave në terren.

Në Durrës janë caktuar rreth 25 persona që do jenë pjesë e stafit të drejtorisë rajonale të OSHEE, ndërsa në Shkodër rreth 55 persona, shtesë e personelit. Këta persona do të ndihmojnë në mënyrën e organizimit të punës dhe veprimtarisë normale të agjencive dhe drejtorisë që lidhen me pjesën e kontrollit të ligjshmërisë me energji elektrike, të ripagesës së faturave, dhe problematika që kanë të bëjnë me sistemin e matjes së eenergjisë.

Abuzimet më të tipike janë rilidhjet e paligjshme nga ndërprerja e furnizimit me energji elektrike si pasojë e të qenit debitor, por dhe ekzistenca e linjave të dyta.

Në lidhje me rezultatet e këtij aksioni të përforcuar këto ditë, në rajonin e Shkodrës (Lezhë, Shëngjin, Velipojë), prej datës 7 gusht kur nisi operacioni, janë kryer 2600 kontrolle, duke konstatuar abuzime të shumta dhe masa ndëshkuese deri me arrestime, ndërsa nga ana tjetër janë arkëtuar rreth 60 mijë dollar dhe janë nënshkruar rreth 100 aktëmarrëveshje të pagesës me këste të detyrimit.

Operacioni në Durrës, i cili ka nisur sot do të vijojë deri në muajin shtator, dhe ky model menaxhimi do të zhvendoset edhe në rajonet e tjera bregdetare (pra, me personel mbështetës, etj).

Në lidhje me rajonin e Durrësit, që përfshin Kavajën, Krujën dhe Shijakun, me rreth 160 mijë abonentë, si 6-mujor, janë kryer 38 mijë kontrolle dhe iu është ndërprerë energjia elektrike 22 mijë debitorëve. Vetëm në Durrës, si qytet, janë kryer 14 mijë kontrolle, ku gjysma rezultuan debitorë (familjarë dhe jo familjarë) dhe iu pre energjia elektrike.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: