Moti i keq ka sjellë ndërprerjen e energjisë elektrike në disa komuna dhe fshatra të Fierit e Vlorës. Në disa raste, shkak për ndërprerjen e energjisë janë bërë defektet, ndërsa në disa raste ka qenë vetë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që ka bërë stakimin.
Kështu OSHEE bën me dije se në rrethin e Vlorës kanë dalë jashtë pune 3 fidra, në nënstacionin Kafaraj, duke lënë pa energji fshatrat Fitore, Dëllenje, Delisufe, Poro. Në komunën Levan, është stakuar fidri nr. 20 për efekt sigurie, pasi 6 kabina janë nën ujë, duke lënë pa furnizim fshatrat Levan (një pjesë), Bishan, Çerven, Boçovë, Qarr, Ferras, Bashkim dhe Pishë Poro.
Po për efekt sigurie, për të mos rrezikuar jetën e banorëve, është stakuar fidri nr.25, duke lënë pa energji fshatrat Novoselë dhe Akërni.
Në Qarkun e Fierit, ka dalë jashtë pune një fidër në nënstacionin Jagodinë, i cili është stakuar pasi përcjellësi i rrymës elektrike ka rënë në lumin Seman. Për pasojë, ka mbetur pa energji komuna “Mbrostar Ura”

Në rrethin Ballsh, ka dalë jashtë pune n/Stacioni Poçem (aset i ARMO-s), i cili është përmbytur i gjithi, prej të cilit furnizoheshin 4 fidrat e OSHEE, duke sjellë mungesën e energjisë elektrike për fshatrat: Kut, Çarrush, Kremenar, Ninesh, Bejar, Gadurove, Poçem, Drizar, si dhe ujësjellësin Mallakastër-Ballsh. Grupet e punës së OSHEE janë në terren për verifikimin e avarive dhe normalizimin e situatës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: