TIRANE- Grupet e punës së avarive të OSHEE-së të shpërndara në gjithë vendin nga dita e djeshme dhe sot, vijojnë punën intensive për riparimin e defekteve të krijuara si pasojë e motit të keq me stuhi shiu e shkarkime elektrike, që nxorrën jashtë pune disa linja të tensionit të lartë e të mesëm.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) njofton sot se në disa zona, energjia elektrike është rikthyer.
Zonat problematike me furnizimin me energji elektrike janë rajonet Shkodër-Lezhë, Fier-Vlorë, Durrës, Elbasan, Tiranë.
Sot, në disa zona në Jug energjia është rikthyer. Kështu në orën 00.38 u vendos në punë linja 30 kV Uji i Ftohtë-Radhimë, ku për pasojë mori energji Radhima, Orikumi, Tragjasi, Dukati. Jashtë pune vijon të jetë ende linja Radhimë-Orikum, ku për pasojë është pa energji zona e Pashalimanit.
Vijon të jetë me difekt linja Gjirokastër-Grapsh, ku zonat ende pa energji janë: Dropull i poshtëm, Dropull i sipërm, Zagori, Pogon, Qendër dhe Libohovë.
Grupet e punës për eliminimin difekteve janë në terren dhe po punojnë për normalizimin e situatës, thanë burimet e OSHEE-së.
(b.e/BalkanWeb)