OSHEE sqaron se çfarë ndodhi tek Kuvendi, ku paraditen e sotme u ndërpre energjia elektrike për disa minuta teksa ka publikuar dhe video ku duket masa në kabinën elektrike që mbulon zonën.

Sipas njoftimit zyrtar, për shkak të shkëndijës elektrike (duke shkaktuar zjarr), në kabinën private, OSHEE stakoi linjën që furnizon zonën përreth për masë sigurie. “Ndërkohë, manovruam duke rikthyer energjinë për zonën përmes linjës së dytë”, deklaron OSHEE.

“Si pasojë e një zjarri në kabinën private të kullave binjake, subjekti privat ka njoftuar OSSH lidhur me këtë problematikë.
Shkak i rënies së zjarrit është “zhvillimi i një harku të madh elektrik, pasi mungonte izolacioni i pajisjeve të këtij subjekti, që ka detyrim ligjor për të kryer mirëmbajten e kabinës që posedon si asset”.
Në bazë të protokolleve të sigurisë për impiantet, u procedua për stakim të menjëhershëm të linjës L12, për të penguar thellimin e avarisë në kabinë, që të mos përbënte rrezik për jetën e personelit, të komunitetit dhe të vetë impianteve.
Si pasojë e stakimit të linjës L12, mbeti pa energji elektrike Kuvendi i Shqipërisë (10:57 – 11:03), i cili gjatë kësaj kohe nuk mundi të fuste në operim gjeneratorin, për shkak të një anomalie mekanike në ndezje.
Sakaq, OSSH operoi me rrjetin e saj dhe riktheu në normalitet furnizimin me energji elektrike”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb