Regjisor, kompozitor, interpretues, saksofonist, drejtues i 12 festivaleve dhe i dhjetëra koncerteve të Vitit të Ri, autor tekstesh etj., i vlerësuar me disa çmime, përfshirë “Mjeshtër i Madh”, kësaj here Osman Mula vjen për herë të parë në një rrëfim për “Panorama për “pikturën por edhe një retrospektivë për artin në diktaturë, përfshirë debatin e hapur rreth akuzave të përfshirjes së kolegëve në
spiunimin e njëri­tjetrit…

Më duhet t’ju përfshij në debatin e fundit, sa ka depërtuar Sigurimi i Shtetit tek artistët?
Më vjen mirë që ma bëni këtë pyetje, por kam dëshirë t’ju them diçka. Debati i fundit mendoj se është më tepër si lloj thashethemi që sjell pështjellim, sesa rregullon punë.
Pse, a nuk është mirë që të dihen ca të vërteta, qofshin këto edhe për artistët?
Sepse nuk më takon mua, as atij, as asaj e tjetrit, e tjetrit me radhë, se cili/cila nga artistët mund të kenë qenë pjesë e spiunazhit. Këtë mund ta thotë vetëm dikush që përfaqëson ligjin, përfaqëson institucionin. Gjithçka tjetër e thënë nga unë apo nga dikush tjetër është subjektivizëm, mund të jenë edhe inate personale dhe nuk ecet me të tilla gjykime.
Duhet të ketë një institucion që hap dosjet fillimisht për politikën dhe pastaj le të shkohet tek artistët, shkrimtarët, sportistët etj. Madje, edhe në këtë rast mendoj se duhet të ketë leje nga institucioni përkatës dhe secili le të lexojë dosjen e tij. Sepse ka diçka. Një pjesë e artistëve janë shumë të lodhur, iu mbyll dera e artit, mbetën pa punë etj. Ca të tjerë janë të sëmurë dhe kur iu fut edhe këtë idenë, jo më spiunuan e jo i spiunova, me akuza dhe kundërakuza pa baza, atëherë i trondit fort, i shkërmoq, i sëmur edhe më keq. Ua baltos edhe nostalgjinë, u bën keq psikologjikisht.
Pak edhe nuk janë në rregull vetë, kështu që më mirë me e mbyllë këtë histori. Pra, pyetja është e thjeshtë: Çfarë rregullohet duke hapur këtë debat?
Rregullohet e vërteta…
Të rregullohet nëpërmjet institucionit, jo me thashetheme. Ka pastaj diçka që dihet hapur. Në RTSH ka qenë drejtori, ngjitur me të ka qenë Sekretari i Partisë dhe ngjitur tij ka qenë nëndrejtori ushtarak, dhe ngjitur me këtë të fundit ka qenë operativi i Sigurimit. Gjithçka ka qenë e ligjëruar, zyrtare dhe asgjë e fshehur, sepse kanë qenë të punësuar dhe ne të artit i njohim të gjithë. Nuk ishte nevoja për spiunazh mes artistësh, pasi këta ishin të deklaruar që ishin në RTSH për këtë punë dhe uleshin hapur me ne në tavolina, madje veshur me rroba si ushtarakë. Dihej kjo gjë dhe as na bënte përshtypje.
Asnjë fatkeqësi nuk u ka ardhur artistëve nga njëri­tjetri?
Nuk mendoj se artisti ka vuajtur nga njëri apo nga tjetri. Artisti mund ta ketë pësuar nga ndonjë vepër, e cila është kritikuar shumë nga aparati i KQsë, apo nga gazetat, sidomos nga “Zëri i Popullit”. Nëse të kritikonin këta, atëherë të filloje të këndoje nga mëngjesi në darkë “mora rrugën për Janinë” (qesh). Nga këto formacione ka ardhur e keqja, jo nga njëritjetri. Kështu ndodhi me Festivalin e 2të që u kritikua, me Festivalin e 11të etj. Çdo artist e ka krijuar me shumë mund repertorin e vet, të gjithë e meritojnë që të respektohen shumë, sot e gjithmonë, dhe jo të përgojohen.
Kaq kisha unë.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: