Përmes një adresimi për media, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në 1-vjetorin e marrjes së detyrës ka thënë se vendi është duke punuar për anëtarësime në organizata ndërkombëtare.

Osmani është shprehur optimiste për anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës por sipas saj nga aplikimi deri në anëtarësim duhet një periudhë kohore.

“Ne tashmë kemi dakordimin si institucione, dhe unë si drejtuese e Politikës së Jashtme kam kërkuar që sivjet të bëhet aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Jemi në fazën e fundit të përgatitjeve për aplikim, por ta keni parasysh se për anëtarësim në Këshillin e Evropës, shteteve të ndryshme, iu është dashur kohë e ndryshme për pranim. Dikujt i është dashur 1 vit e dikujt tjetër 5 vjet për anëtarësim. Ne po punojmë që me partnerët tanë kjo kohë të jetë sa më e shkurtër”, tha ajo.

“Siç e dini më shumë se 2/3 e shteteve anëtarë të këshillit të Evropës e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës dhe ne shpresojmë se këto do të votojnë në favorin tonë”.

Mirëpo Osmani ka shprehur hezitim sa i përket anëtarësimit të vendit në NATO.
“Anëtarësimi në NATO është proces shumë më i komplikuar pasi kërkon votim me dhe vendim me unanimitet. Në NATO ende janë katër shtete që nuk e kanë njohur Kosovën. Kurse hapat tanë janë që të sigurohemi se i plotësojmë kriteret për anëtarësim në këtë organizatë”.

Ajo thotë se megjithatë anëtarësimi në NATO mbetet qëllim strategjik i Kosovës. Presidentja thotë se Kosova synon anëtarësimin në PFP (Partneriteti për Paqe), por sipas saj edhe këtu janë të përfshira Serbia dhe Bjellorusia.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb