Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media në Pragë, ka folur edhe për takimin e 13 tetorit ku pikë e rendit të ditës është edhe çështja e vizave për Kosovën dhe për këtë është shprehur me optimizëm, por ka thënë se duhet jemi të kujdesshëm sa i përket atij takimi, pasi nuk përfundon gjithçka aty dhe se ka shumë hapa të tjerë deri në hyrjen në fuqi.

Ajo ka folur edhe për takimet që ajo i ka pasur në këtë samit.

“Sa i përket kryeministrit të Greqisë e kam takuar edhe dy herë më herët në takime bilaterale të detajuara për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pra është hera e tretë që po e takoj, ndërkaq kryeministrin e Sllovakisë është hera e parë që e takoj. Këto janë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, por të dyja kanë qëndrime konstruktive sepse asnjëherë nuk e kanë bllokuar rrugën evropiane të Kosovës. Kisha mundësinë të kërkojë përkrahje përtej tyre me disa prej çështjeve me të cilat po ballafaqohemi tani dhe po shpresoj që jemi në rrugë të drejtë por në fund këto do të jenë vendime të institucioneve të këtyre dy shteteve, ne kemi shpjeguar argumentet tona se pse është me rëndësi Kosova të ecë në mekanizmat ndërkombëtar. Siç e thash tani do të presim edhe vendimet e tyre. Çka është me rëndësi këto shtete asnjëherë nuk e kanë e bllokuar liberalizimin e vizave për Kosovën edhe pjesë janë shtete mosnjohjes në fakt na kanë përkrahur edhe publikisht”, tha ajo.

Osmani është shprehur se presin që takimi i 13 tetorit ku takohet grupi punues për viza do të dëgjohet nga të gjitha këto shtete duke na përkrahur zëshëm, pavarësisht çfarë qëndrimi kanë sa i përket pavarësisë.

“Shpresojmë, natyrisht jemi optimist por edhe të kujdesshëm sa i përket atij takimi, po nuk përfundon gjithçka aty se ka shumë hapa të tjerë siç e dini deri në hyrjen në fuqi. Çka është me rëndësi është që sot një rivlerësim i Komisionit Evropian, i është dërguar të gjitha shteteve anëtare është jashtëzakonisht pozitiv, dhe në të njëjtën kohë ky rikonfirmimim i KE-së i njofton të gjitha shtete anëtare edhe për të gjitha reformat që janë kryer këtë 1 vit e gjysme duke i vlerësuar ato si reforma pozitive”, tha ajo.

E parja e shtetit foli edhe për takimet që ka pasur në Pragë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz si dhe presidentin francez, Emanuel Macron.

“Pastaj kemi diskutuar edhe për dialogun. Franca dhe Gjermania në nivelet më të larta janë duke bërë përpjekje për intensifikimin e dialogut, por si përfaqësueses e Kosovës kam paraqitur cilat janë vijat tona të kuqe, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e integritetit territorial, sovranitetit të vendit tonë, kushtetutshmërisë e vendit dhe rëndësinë e jashtëzakonshme që Kosova të mbetet shtet funksional, pra mos të lejojmë zgjidhje që më shumë shkaktojnë probleme se sa paqe e stabilitet në rajon. Ekipet e tyre shumë shpejt do të ulen sërish bashkë me ne për të biseduar për këto çka diskutuam sot”, tha presidentja Osmani.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: