Tefik Osmani e cilësoi si tradhti sjelljen e Ardjan Takajt kundrejt tij gjatë merkatos së verës. Deklarata e mbrojtësit korçar trazoi shumë ujërat në kampin e Skënderbeut, por ishte presidenti i klubit ai që vendosi të sheshojë disi mosmarrëveshjet dhe t’i bëjë të qartë Osmanit se e vlerësonte shumë për atë që kishte dhënë në radhët e bardhekuqve.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, 32- vjeçari i lëshon sërish mesazhe Takajt, por këtë herë natyrisht më të përmbajtura. “Më vjen mirë që Takaj ka thënë për mua se më do fort. E shoh si shenjë vlerësimi nga presidenti i klubit kampion. Nuk di ta ketë thënë këtë për ndonjë lojtar tjetër”, thotë futbollisti nga Kanadaja e largët ku po kalon pushimet dimërore.

Tefik, a jeni ju i keqi i vetes?

Nëse i referoheni deklaratës së Takajt, po ju them se përtej të gjithave, unë e marr si një vlerësim atë që ka thënë.

Çfarë merrni si vlerësim?

Më vjen mirë që Takaj ka thënë për mua se më do fort. E shoh si shenjë vlerësimi nga presidenti i klubit kampion. Nuk di ta ketë thënë këtë për ndonjë lojtar tjetër.

Po, por ju thatë që u ndiet i tradhtuar…

Unë e kam thënë këtë dhe nuk i heq asnjë presje. Natyrisht, duke iu referuar edhe rrethanave.

Pse thotë Takaj që ju jeni i keqi i vetes?

Sepse ai e di shumë mirë se unë nuk i kam shitur asnjëherë presidentët dhe shokët me të cilët kam punuar. Nuk i kam shitur me asnjë lloj çmimi. Ndoshta për këtë më cilëson si të keqin e vetes.

Deklarata juaj në fakt tronditi jo pak ambientin korçar… Prej asaj kohe ecuria e ish-skuadrës suaj ka qenë pikiatë…

Më vjen keq për këtë. Por unë kthehem në datën 5 ose 6 janar. Sapo të kthehem, jam gati t’i ndreq gjërat. Mjafton që të ma kërkojnë. Natyrisht me kushtin e vetëm që ata të duhet ta kenë të qartë se me Teutën do pësojnë sërish humbje. Sa për të tjerat pastaj i rregullojmë… (qesh).

Çfarë dëshirash keni për vitin 2019?

Shpresoj që Teuta të vazhdojë me ritmin që ka pasur së fundmi dhe titullin ta fitojë skuadra më e mirë e këtij edicioni, pra, Teuta.

Po Shkëmbit a ia keni treguar këtë si dëshirë?

Shkëmbi e di dëshirën time, por meqë ma përmendët, prej Shkëmbit shkoj përditë në palestër edhe në Kanada…

Pse?

Sepse kështu është kur e ke shokun trajner. Duhet të rrish në formë të mirë edhe kur trajneri nuk ta kërkon. Nuk dua ta zhgënjej kur të kthehem, ndaj vij këtu edhe përpiqem që të ruaj formën maksimalisht.

A keni një urim meqë jemi pragfestash?

Ju uroj të gjithë njerëzve të sportit, por veçanërisht tifozëve të futbollit, një vit sa më të mbarë dhe sa më të suksesshëm. Ju uroj të gjithëve lumturi dhe begati!

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: