Nga: ERMELINDA HOXHAJ
TIRANE – Data 20 tetor njihet si dita botërore e osteoporozës. Instituti i Shëndetit Publik përcjell mesazhin me rastin e kësaj dite, i cili është: “Kujdesu për kockat e tua! Mbro veten tënde nga osteoporoza dhe thyerja e kockave!”. Statistikat botë-rore tregojnë se 1 në 3 femra dhe 1 në 5 meshkuj të moshës mbi 50 vjeç janë të prekur nga sëmundja e kockave, ndërsa në vendin tonë, sipas mje-këve, kjo shifër mund të jetë edhe më e lartë për shkak të kushteve të vështira të jete-sës dhe shkallës së ulët të diagnostikimit. Sëmundja e osteoporozës, ose dëmtimi i kockave nuk është ende e njohur si duhet në vendin tonë. Ndërkohë që përveç kësaj, mungon informacioni për mënyrat e parandalimit të saj, por edhe për trajtimin e të sëmurëve, i cili tashmë është i mundshëm. Humbja e masës kockore fillon si te burri, edhe te gruaja, pasi kanë kaluar 35 vitet. Por, tek femrat kjo theksohet edhe më shumë në menopauzë e pas saj. Më të rriskuara nga kjo sëmundje janë femrat që kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale për të hequr mitrën.

Të rrezikuarit
Gratë kanë një rrezik tetë herë më të lartë se burrat për të zhvilluar osteoporozë. Fillimisht shenjat e osteoporozës janë: pakësim i masës kockore, zvogëlim i gjatësisë së kockës, dëmtime të lokalizuara, shtypje në nivelin e vertebrave, sidomos atyre të mesit, dëmtime të kyçit të dorës, qafës së femurit ose edhe në vende të tjera kur gruaja pëson një traumë, qofte edhe të vogël. Osteoporoza shkakton dhimbje vetëm në rastet e thyerjeve dhe të dëmtimit të vertebrave. Dhimbjet e kyçeve, nga të cilat ankohen gratë pas periudhës së menopauzës, nuk janë të lidhura me osteoporozën. Rreth 25-30 për qind e grave në menopauzë preken nga osteoporoza. Një nga faktorët që e mbron kockën prej qelizave shkatërruese është estrogjeni, i cili prodhohet nga vezoret. Funksioni i vezoreve tek gratë rreth 45 vjeç vjen duke u pakësuar deri në humbjen e menstruacioneve, periudhë kjo që quhet menopauza. Sa më shpejt të fillojë menopauza, aq më i madh është rreziku i osteoporozës. Kur menopauza është kirurgjikale (menopauza quhet kirurgjikale kur pas ndërhyrjeve është hequr mitra dhe bashkë me të edhe vezoret), rreziku është akoma më i lartë. Po ashtu, edhe trashëgimia është faktor risku, pasi në familjet e personave që vuajnë nga osteoporoza rritet rreziku edhe për personat e tjerë. Po ashtu, zhvillimi i kësaj sëmundjeje ka lidhje me përdorimin e kortizonit tek personi. Si për shembull, tek pacientët që për shkak të astmës, alergjisë, sëmundjeve reumatizmale përdorin kortizon për një kohë të gjatë.

Frakturat
Aktualisht vlerësohet se mbi 200 milionë njerëz në mbarë botën janë prekur nga osteoporoza. Osteoporoza është përgjegjëse për shumicën e frakturave në njerëzit mbi 50 vjeç. Afërsisht 1 në 3 gra dhe 1 në 5 meshkuj mbi moshën 50 vjeç do të pësojnë një thyerje kocke për shkak të osteoporozës. Te femrat mbi 45 vjeç llogariten më shumë ditë qëndrimi në spital nga osteoporoza sesa nga sëmundje të tjera si infarkti, diabeti, kanceri i gjirit etj. Te meshkujt rreziku i thyerjeve nga osteoporoza është 27% më i lartë se rreziku nga kanceri i prostatës. Osteoporoza shkakton më tepër se 8.9 milionë fraktura në vit. Thyerjet e kockave të legenit shkaktojnë sëmundshmëri të madhe me një nivel vdekshmërie deri në 20-24% në vitin e parë pas frakturës. Vetëm në Bashkimin Evropian kostoja e frakturave të tilla është mbi 37 bilionë euro çdo vit dhe do të rritet me 25% në vitin 2025. Urbanizimi dhe plakja e popullsisë po çojnë në rritje të shpejtë të barrës së sëmundshmërisë prej osteoporozës.

Shenjat
Duke qenë se humbja e masës kockore gjatë osteoporozës ndodh gradualisht dhe është e padhimbshme, nuk ka simptoma të dukshme që të tregojnë se një person është duke zhvilluar osteoporozën. Për këtë arsye, osteoporoza quhet “epidemi apo sëmundje e heshtur”. Megjithatë, disa shenja si dhimbja e lehtë, reduktimi i gjatësisë trupore me disa cm apo fraktura, mund të jenë të lidhura me osteoporozën. Shpesh shenja e parë e osteoporozës është fraktura/thyerja e kockës.

Diagnostikimi
Për vendosjen e diagnozës rekomandohet kryerja e testit të matjes së densitetit kockor (BMD test). Një numër testesh të ndryshme për matjen e densitetit kockor janë në dispozicion, ndër të cilat DXA-ja, një rrezatim me doza të ulëta me rreze X. Të gjithë individët mbi 50 vjeç, veçanërisht gratë në menopauzë, të cilët kanë një faktor rreziku duhet të bëjnë matjen e densitetit kockor. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përcaktuar vlerat referencë që rrjedhin nga matjet e densitetit kockor: kur BMD-ja e një personi është – 2.5 ose më e ulët vendoset diagnoza osteoporozë. Më poshtë jepet sesi vlerësohen rezultatet e testit BMD. Normal: -1 ose më tepër Osteopeni: midis -1 dhe -2.5 Osteoporozë: -2.5 ose më i ulët Osteoporozë e rëndë: -2.5 ose më i ulët dhe prania e të paktën një frakture.

Parandalimi&Dieta
Pas moshës 20 vjeç, hollimi i kockave është një proces natyral, i cili nuk mund të ndalet plotësisht, prandaj ndërgjegjësimi për oste-oporozën duhet të fillojë që në moshë të re. Mënyra më e mirë për të parandaluar dobësimin e kockave është të fillohet aktiviteti fizik dhe zakone të shëndetshme të ushqyerjes qysh në fëmijëri dhe të ruhen këto zakone edhe në moshë të rritur. Bërja e ushtrimeve të rregullta fizike luan një rol të rëndësishëm në ndërtimin dhe mbajtjen e masës kockore. Ushtrimet janë individuale, por për-gjithësisht shumica e nje-rëzve ka nevojë për 30-40 minuta 3 deri 4 herë në javë. Marrja e kalciumit në sasi të mjaftueshme – sasia e kalciumit që duhet të konsumojmë ndryshon në stade të ndryshme të jetës. Ushqimet e pasura me kalcium janë: qumështi e produktet e tij, peshku i konservuar dhe sardelet, drithërat, perimet jeshile si brokoli dhe lakra jeshile, disa fruta si portokalli, kajsia, fiqtë e thatë, arrat, bajamet, lëngjet e frutave, etj. Vitamina D është gjithashtu esenciale për përthithjen e kalciumit. Ekspozimi për 15 minuta në ditë në diell i duarve, krahëve dhe fytyrës është zakonisht i mjaftueshëm për prodhimin e vitaminës D për shumicën e njerëzve. Vitamina D mund të sigurohet edhe nga ushqimet dhe suplementet. Ushqime të pasura me vitaminë D janë vaji i peshkut, veza, mëlçitë, drithërat etj..

Ndjekja e një stili të shëndetshëm jetese është pjesë e kujdesit për kocka të shëndetshme. Evitimi i duhanpirjes, pirja e moderuar e alkoolit, si dhe mbajtja brenda kufijve të normës e peshës trupore janë disa faktorë të rëndësishëm. Kafeina dhe kripa mund të rrisin humbjen e kalciumit nga trupi dhe nuk duhet të merren në sasi të tepërt. Alkooli duhet gjithashtu të merret në sasi të moderuar. Megjithëse nuk ka të dhëna bindëse që tregojnë se pijet e gazuara joalkoolike (p.sh. pijet ‘Coca Cola’) dobësojnë kockat, nuk duhet tepruar me to.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: