Salloni i Librit në Torino bën bashkë Edi Ramën dhe Ben Blushin. Dikur i përkisnin së njëjtës skuadër e më pas u bënë kundërshtarë politikë. Kjo e fundit, politika, s’dihet nëse do t’i bëjë sërish bashkë kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe ish-socialistin Ben Blushi, por me sa duket, letërsia, po.

rama kurban

Sigurisht, nuk do të jenë në të njëjtin panel, krah për krah njëritjetrit, por, në një mënyrë apo në një tjetër, të dy do të përfaqësojnë letrat shqipe, por edhe raportin e saj me politikën. Në këtë edicion, në Torino, letërsia dhe publicistika shqipe do të jetë e prezantuar nga disa përfaqësues:

kopertina e librit te rames ne serbisht
Kopertina e librit, e përkthyer në gjuhën serbe

Blushi me romanin e përkthyer në gjuhën italiane “Otello, Arapi i Vlorës”; Rama, si Kryeministër, ish-kryebashkiak i Tiranës dhe autor i veprës “Kurbani” dhe një grup autorësh të rinj (Saimir Muzhaka, Eris Rusi, Manjola Nasi, Elona Çuliq, Belfjore Qose), mbështetur nga Ministria e Kulturës.

BLUSHI PREZANTON “OTELLON”

Pas përkthimit në gjuhën italiane dhe botimit nga shtë- pia botuese “Mimesis”, Ben Blushi do të prezantojë para lexuesit italian, romanin “Otello, il moro di Valona”. Takimi do të zhvillohet ditën e shtunë, në orën 10:30, në Spazio Internazionale. Të pranishëm në këtë promovim do të jenë Beko Gjata dhe Anilda Ibrahimi. Ky takim i Blushit me lexuesin i përket seksionit “Scrittori dal mondo – Narrativa straniera”.

ben blushi

Bashkë me romanin, Ben Blushi do të prezantojë edhe një copëz Shqipërie, që sipas organizatorëve të Sallonit të Librit në Torino, ka qenë “një vend misterioz në zemër të Mesdheut gjatë kohës së komunizmit, pastaj zemra e emigracionit europian, ndërsa sot një vend tërheqës dhe mundësish”. “Otello, Arapi i Vlorës”, fitues i Çmimit Europian të Letërsisë, është përkthyer në gjuhën italiane nga Elda Katorri. “Otello” mund të lexohet si një roman i përjetshëm dashurie, i cili i tejkalon kohët dhe distancat gjeografike, ku xhelozia kthehet në një mekanizëm që devijon ngjarje; por po ashtu, mund të lexohet si romani i pranimit apo mospranimit të tjetrit.

Otello është i papranuari i përjetshëm, në një shoqëri, që asnjëherë nuk është gati për të pranuar të ndryshmin. Dhe Italia, vendi ku janë përplasur jo vetëm shqiptarët në fillim të viteve ’90, por edhe të gjithë refugjatët e ardhur nga kontinenti afrikan, është vendi, ku ky libër qëndron si në shtëpinë e vet.

Kopertina e librit, “Otello, Arapi i Vlorës”, i përkthyer në gjuhën italiane
Kopertina e librit, “Otello, Arapi i Vlorës”, i përkthyer në gjuhën italiane

NJË RRËFIM PËR TIRANËN

“La mia Tirana”-”Tirana ime”. Kështu titullohet takimi i së dielës në orën 10:30, në Sallën “Blu”, në hapësirat e Panairit të Librit, i cili nis sot rrugëtimin në Torino. I ftuar është Kryeministri shqiptar, Edi Rama, po ashtu autor i librit “Kurban”-”Il sacrificio”. Rama, po ashtu, është pjesë e seksionit “Scrittori dal mondo”, i cili mbledh figura të shquara të letërsisë botërore, veçse Kryeministri do të pozicionohet në atë segment të titulluar “Aktualiteti dhe politika”.

I gjendur mes artit dhe politikës, pikturës, pasionit për të shkruar dhe karrierës politike, Rama do të ndajë me të pranishmit këtë eksperiencë. Por siç njoftojnë organizatorët e Panairit të Artit, si “autor i një autobiografie mbi eksperiencën e tij publike, Kryeministri shqiptar, dikur edhe kryetar i Bashkisë së Tiranës, reflekton mbi rëndësinë e marrëdhënieve të mira politike, diplomatike dhe ekonomike mes Italisë dhe Shqipërisë”. Në krah të Ramës do të jetë kritiku i artit, shkrimtari dhe politikani i njohur italian, Vittorio Sgarbi. Duke pasur parasysh karakteret sanguine të dy të ftuarve, me gjasë nuk do të mungojë debati e batutat.

Burimi: http://www.panorama.com.al/otello-dhe-kurban-blushi-dhe-rama-perplasen-ne-torino/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: