Të flas për favoritë këtë edicion është e pamundur, kjo edhe për shkak të skemës, por fakt është që disa ekipe si Egnatia, Partizani apo Tirana kanë diçka më shumë se sa rivalët. Java e 7-të gjen Egnatian të vetme në krye në kuotën e 13 pikëve, plus 3 në raport me Tiranën, por bardheblutë kanë një ndeshje me pak. Në mënyrë surprizë në vendin e tretë renditet Skënderbeu me 9 pikë, por kalendari këtë javë i rezervon ekipit korçarë Partizanin, kampionët në fuqi. Trajneri Gvozdenovic flet me respekt për “demat”, por është i bindur se ekipi i tij është gati për një sfidë të tillë, me tifozët në krah do të synojnë pikët kundër të kuqve:
“Do jetë një ndeshje e bukur, një ndeshje derbi, në një atmosferë të bukur këtu në Korçë me tifozët. Duhet përgatitur mirë, të jemi gati. Do luftojmë për pikë. Kemi respekt për ekipin e Partizanit, janë kampionë në fuqi, kanë shumë cilësi brenda, por e kemi studiuar, jemi gati për të luftuar për pikë”, u shpreh Gvozdenovic në konferencë për shtyp. Java e 7-të rezervon edhe disa sfida të tjera interesante: Egnatia-Teuta; Kukësi-Erzeni, Dinamo-Vllaznia dhe Tirana-Laçi.
(BalkanWeb)