Kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, po kalon sot në “sitën” e Vettingut. Në seancën dëgjimore, Komisioni i Jashtëm i Vettingut ka lexuar të dhënat e mbledhura nga hetimi për pasurinë e Ardi Veliut, por edhe aftësitë e tij profesionale apo pastërtinë e figurës.

Sa i takon pasurisë, kryepolici rezulton se ka porositur një apartament në Tiranë, në vitin 2017, me vlerë 79 mijë euro. Apartamenti është në ndërtim, ndërsa për blerjen e tij ai ka marrë 5 milionë lekë kredi, të cilën vijon ta shlyejë. Ndërkohë, aktualisht kryepolici Veliu jeton me qira dhe nuk rezulton të ketë pasuri të tjera të paluajtshme.

KJV ka zbuluar nga hetimi se ai ka një llogari bankare me 750 mijë lekë nga të ardhurat, ka llogari page 190 mijë lekë, si dhe 5 mijë euro të përfituara nga shitja e një makine. Ndërsa, tashmë ai nuk ka makinë në pronësi të tij.

Sa i përket të ardhurave të bashkëshortes së Veliut, ajo ka 800 mijë lekë nga paga dhe një depozitë 2 milionë e 400 mijë lekë të dhuruara nga prindërit pas shitjes së një apartamenti në Vlorë.

Në këtë mënyrë, KJV ka arritur në përfundimin se Ardi Veliu ka deklaruar saktë pasurinë, ka burime të ligjshme dhe nuk ka konflikt interesash.

Ndërkohë, sa i përket kontrollit të figurës, DSIK ka konfirmuar se Veliu ka certifikatë sigurie tepër sekret deri në vitin 2022 dhe nuk rezulton të ketë asnjë informacion implikues ndaj tij.

Por, në vitet 2002, 2003 dhe 2007, sipas SHÇBA, ka raportime se Veliu ka qenë i implikuar në lëvizjen e klandestinëve, favorizimin e falsifikimit të vizave, por që këto nuk kanë pasur vijueshmëri dhe nuk është hapur proces penal, si dhe nuk është marrë nën hetim apo i pandehur.

I pranishëm në seancën dëgjimore, Ardi Veliu ka sqaruar pretendimet për përfshirje në falsifikim pasaportash në vitin 2007, duke thënë se prej 15 gushtit të 2006-ës nuk ka qenë pjesë e Policisë së Shtetit.

“Në lidhje me pretendimet per perfshirje ne falsifikim pasaportash ne 2007 deklaroj se prej 15 gushtit 2006 nuk kam qene pjese e pol se shtetit. Kam dale ne reforme. Dhe ska si te isha pjese e kesaj gjeje”, ka thënë Veliu.

I pyetur nga anëtarët e KJV se pse duhet të rikonfirmohet në detyrë, ai është përgjigjur: “Une si drejtor por dhe si punonjes jam i ndershem dhe do punoj ne te mire te vendit. Respoktoj cdo vendimmarrje”.

Ndërkohë, vendimi i KJV për kryepolicin Ardi Veliu shpallet në 7 shkurt, në orën 09:45.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb