Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, ka folur sërish për situatën në veri të Kosovës, ku tha se kryeministri Albin Kurti ka vepruar në mënyrë të njëanshme me vendosjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në tri komunat në veri.

Në një intervistë për median italiane “Corriere Della Sera”, ai u shpreh se vendimi i Kurtit nuk ishte në përputhje me këshillat e ndërkombëtarëve, ndërsa shtoi se autoritetet e Kosovës përdorën forcën pa u konsultuan me KFOR, çka bëri të nevojshme një ndërhyrje nga trupat e misionit të NATO-s, për të shmangur një tragjedi të mundshme.

“Vendimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, për të vendosur kryetarë komunash me përkatësi etnike shqiptare të panjohur nga shumica serbe, pa marrë parasysh këshillat e komunitetit ndërkombëtar. Veprimi i dytë i njëanshëm i qeverisë ishte përdorimi i forcës pa u konsultuar me ne, duke bërë kështu të nevojshme ndërhyrjen tonë për të shmangur një tragjedi”, tha ai.

Ristuccia më tej shtoi se veriu i Kosovës pa praninë e misionitë të NATO-s, do të ishte “një tjetër vatër lufte”.

“Situata me të cilën po përballemi është rezultat i një sërë krizash të grumbulluara me kalimin e kohës. Le ta quajmë një destabilitet të kontrolluar, i cili megjithatë po bëhet gjithnjë e më i paqëndrueshëm në terren, për shkak të brishtësisë së marrëdhënieve mes dy grupeve etnike dhe kushdo që i përfaqëson ato”, u shpreh ai.

Komandanti i KFOR-it duke folur për gazetën italiane, theksoi se për situatën e krijuar të dyja palët janë përgjegjëse.

“Të dyja palët nuk janë në gjendje të përfitojnë nga objektivat e arritura ndër vite, me përpjekje të mëdha nga diplomacia ndërkombëtare. Ky mjedis është i ngopur me retorikë absolutisht joproduktive dhe të rrezikshme, krejtësisht jofunksionale ndaj objektivave të paqes që bashkësia ndërkombëtare dëshiron të arrijë në Kosovë “, u shpreh ai.

Mbi mundësinë e një përshkallëzimi të mundhsëm të situatës, komandanti i KFOR u shpreh se ndërhyrja e trupave të NATO-s krijoi një efekt afatshkurtër.

“Përmes veprimeve diplomatike, Serbia dhe Kosova kanë filluar sërish të bisedojnë me njëra-tjetrën. Shpresojmë që kjo periudhë kohore të përdoret për të nisur negociatat reale”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb