Në Shqipëri, drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Altin Dumani, tha sot se ky institucion i ka të gjitha kushtet që të shënojë hapa përpara. “Pas këtyre tre viteve Prokuroria e Posaçme duhet të kalojë në një fazë tjetër që është ajo e një luftë më agresive ndaj korrupsionit të zyrtarëve të çdo niveli si dhe ndaj krimit të organizuar. Tashmë kemi një Prokurori që është në funksion të plotë, në përbërje të së cilës jemi 17 prokurorë, kemi Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) funksionale e gjithashtu kemi dhe diçka tjetër pozitive, që kemi fituar eksperiencë në këto tre vite pune”, deklaroi ai.

Në fjalën e tij të shkurtër në ceremoninë e marrjes së detyrës, zoti Dumani, ndërsa ofroi mbështetje të pakursyer për kolegët e tij prokurorë, vuri theksin dhe të bashkëpunimi ngushtë me Byronë Kombëtare të Hetimit. “Pa një BKH efiçente, suksesi është i pamundur”, u shpreh ai.

Zoti Dumani u zgjodh në krye të Prokurorisë së Posaçme, të premten e shkuar, pasi mori mbështetjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në garë së bashku me të ishin dhe prokurorët Edvin Kondilli dhe Adnan Xholi.

Procesi zgjoi një interesim të veçantë pasi ambasadorja amerikane Yuri Kim, në mënyrë publike shfaqi disa herë shqetësim për ndërhyrje të mundshme për të infuencuar garën. Ajo u paraqit personalisht për të ndjekur seancën publike të paraqitjes së platformave nga kandidatët.

Në përfundim të garës, ambasada amerikane u shpreh e kënaqur me zgjedhjen e zotit Dumani duke deklaruar se Prokuroria e posaçme “duhet të vazhdojë të dëshmojë se askush nuk është mbi ligjin” dhe se “koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund”. /VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb